Të nderuar anëtarë të IKM,

Të dashur miq, kolegë, KM apo Kandidat për KM,

Sot, në përvjetorin e 20 te IKM, doja t’ju drejtohesha me një përshëndetje.

Do të dëshiroja që këtë përshëndetje ta bëja në një aktivitet ku të ishit të pranishëm të gjithë, për të festuar këtë datë të rëndësishme. Por kushtet e pandemisë botërore të Covid 19 nuk na e mundësuan këtë gjë.

Plot 20 vjet më parë, vetëm 2 vjet pas lëshimit të dëshmive të para të Kontabilistëve të Miratuar, u krijua organizata jonë e Kontabilistëve të Miratuar. Themeluesit e saj, me largpamësi dhe me vizion modern, hodhën idenë dhe e realizuan, për krijimin e organizatës profesionale, që do të mblidhte të gjithë Kontabilistët e Miratuar dhe ata që ishin në rrugën dhe me synimin për tu bërë KM.

Periudha 20-vjeçare e rrugëtimit të IKM ka qenë e mbushur me plot sfida, suksese dhe arritje në rrugën e zhvillimit dhe forcimit të profesionit, por edhe të rregullimit të Kontabilitetit dhe Raportimit Financiar në vendin tonë. Sfida kryesore ishte krijimi i një organizate profesionale që të mbështeste zhvillimin e një profesioni të fortë, me anëtarë KM të aftë, me integritet dhe etikë profesionale dhe që u ofronin shërbime cilësore dhe të nevojshme biznesit, klientëve por jo vetëm. Dhe shumëkush prej jush e ka përjetuar që kjo nuk ka qenë e lehtë, shumë pengesa dhe vështirësi është dashur të kapërcehen. Rrugëtimi ynë gjatë këtyre viteve ka provuar se IKM dhe anëtarët e saj e kanë përballuar me sukses këtë sfidë: nga një profesion që nuk njihej, nuk vlerësohej apo nuk merrej seriozisht nga bizneset, organizmat qeveritare dhe nga vetë kontabilistët, tashmë profesioni i kontabilistëve të miratuar është shndërruar në një nevojë për bizneset, për qeverinë, për universitetet dhe më gjerë. Kontabilistët e Miratuar, anëtarë të IKM tashmë janë pjesë e pandashme sukseseve të bizneseve shqiptare. Ata me shërbimet qe ju ofrojnë bizneseve, kanë bërë që të rritet vlera e shtuar e tyre, të sigurohet një zhvillim i aktiviteteve të bizneseve në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi si dhe në përputhje me interesat e tyre për një performancë të lartë të aktiviteteve biznesore. Tashmë është një fakt i njohur gjerësisht nga të gjitha palët e interesit në vendin tonë, nga organizmat kombëtare dhe ato ndërkombëtare, që zhvillimi i profesionit të KM ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e performancës së bizneseve, në uljen e nivelit të evazionit tatimor, në rritjen e ndërgjegjësimit të bizneseve për zhvillimin e aktiviteteve në përputhje me ligjet dhe me rregullat e ekonomisë së tregut. IKM tashmë luan një rol aktiv në gjithë procesin e rregullimeve legjislative të lidhura me kontabilitetin, legjislacionin tatimor, doganor, të biznesit, etj.

IKM që në hapat e para të ekzistencës së vet, ka zhvilluar një aktivitet të dendur brenda dhe jashtë vendit. Ajo ka qenë anëtare e SEEPAD (zhvillimi i profesionit të kontabilitetit ne vendet e Ballkanit perëndimor), e bindur se zhvillimi në bashkëpunim me vendet e tjera mundëson një shkëmbim eksperience, njohurish dhe mbështetje të nevojshme për një rol sa më aktiv të organizatës brenda dhe jashtë vendit. IKM ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon fort me BB dhe ka marrë pjesë aktive në të gjitha projektet e saj për zhvillimin e profesionit të kontabilitetit dhe Raportimit Financiar në Shqipëri.

IKM dhe drejtuesit e saj kanë qenë të bindur se marrja pjesë në organizatat ndërkombëtare të profesionistëve të kontabilitetit do të siguronte vendosjen dhe realizimin e kërkesave të larta të standardeve profesionale, të nevojshme këto për një profesion sa më të fuqishëm, të aftë për t’i shërbyer zhvillimit të biznesit por dhe për të qenë një faktor i rëndësishëm në hartimin dhe vendosjen e rregullave për Kontabilitetin dhe Raportimin Financiar.

Në sajë një pune këmbëngulëse, të pasionuar dhe të vendosur të drejtimit të IKM dhe të anëtarëve të saj, IKM u bë anëtare me të drejta të plota e IFAC, organizatës më të madhe botërore të kontabilistëve. Periudha gati 10 vjeçare nga fillimi i procesit për anëtarësi dhe deri në anëtarësimin e plotë, shërbeu për vendosjen, forcimin dhe zbatimin e standardeve profesionale cilësore dhe me nivel të lartë të kërkuar nga IFAC. Tashmë IKM është një organizatë me standarde të larta profesionale të etikës, të raportimit financiar, të disiplinës, të edukimit si asnjë organizatë tjetër e kontabilistëve në vendin tonë. Kjo faktohet me anëtarësimin e plotë në IFAC dhe me njohjen nga ana e BMP. Tashmë zëri i IKM dëgjohet fort jo vetëm brenda vendit por edhe në rang ndërkombëtar.

Kontributi i IKM në rregullimet shqiptare të Kontabilitetit, të tatimeve e taksave, të doganave, të biznesit tashmë është i dukshëm dhe i pamohueshëm.  IKM ka partnerë brenda vendit BMP, KKK, MF, DPT, AMF, FEUT, Universitetin e Shkodrës, IEKA, etj.

Gjatë këtyre viteve shumë punë është bërë dhe shumë suksese janë arritur. IKM tashmë zhvillon një proces edukimi të vijueshëm dhe të hyrjes në profesion sipas një strategjie të mirëpërcaktuar dhe të suksesshme. IKM tashmë është një organizatë e konsoliduar me staf profesional full time dhe part time, me struktura të ngritura në qendër dhe në rrethe. Por ende ka pune për të bërë. Duhet akoma më shumë të bëhet në drejtim të shmangies dhe eliminimit të kontrabandës në profesion. Në kushtet e zhvillimit të bizneseve duhet të punohet më shumë që KM të diversifikojnë shërbimet e tyre, të kërkojnë të ofrojnë më shumë shërbime që i rrisin vlerës biznesit të klientëve apo punëdhënësve të tyre, të kalojnë nga shërbimet klasike të Kontabilitetit dhe deklarimeve tatimore edhe në shërbime të tjera si ato të sigurisë, të planifikimeve të biznesit dhe financiare, të kontrolleve dhe auditimit të brendshëm, të burimeve njerëzore, etj. Kjo kërkon ndryshim mentaliteti, përgatitje profesionale dhe investime infrastrukturore nga çdo KM. Situata e pandemisë botërore të COVID 19 evidentoi dukshëm edhe nevojën e rishikimit të mënyrës së punës dhe ofrimit të shërbimeve të KM. Tashmë KM duhet të shikojnë se si shërbimet e tyre të ofrohen në mënyrë të digjitalizuar, të punojnë më shumë me përpunime të bazave të të dhënave, me kontabilitetin dhe sistemet e IT në cloud.

Në këtë drejtim IKM po punon që të mbështesë anëtarët e saj me zhvillimin e trajnimeve, edukimit të vijueshëm, me rregullime dhe udhëzime, me qëllim që të arrihet misioni i tyre me sukses: tu shërbejnë në mënyrë cilësore dhe me efiçencë dhe efikasitet klientëve të tyre. Profesioni i KM është privat nga funksionimi por është publik nga natyra e tij. Të gjithë duhet të punojmë për të rritur sa më shumë besimin e publikut të profesioni I KM, të luftojmë kundër evazionit dhe korrupsionit. IKM do të jetë gjithnjë në mbështetje të realizimit të këtyre objektivave. IKM tashmë është bërë pjesë aktive e projekteve të BB por edhe më gjerë duke siguruar kështu mundësitë e nevojshme për të zhvilluar një raportim financiar cilësor e të besueshëm, një profesion të Kontabilitetit të fuqishëm dhe profesional.

Në këtë ditë të shënuar të IKM do të dëshiroja të falënderoja themeluesit e IKM, drejtuesit e saj gjatë këtyre 20 viteve, duke filluar nga presidenti i parë i saj z. Bardhyl Pelinku, e në vijim, që me vizion, me pasion dhe përkushtim kanë drejtuar dhe e kanë çuar IKM në nivelin aktual: e vetmja organizatë profesionale në Shqipëri e KM anëtare e IFAC, e vetmja OP e KM e njohur nga BMP, duke  e shndërruar IKM në një organizatë profesionale të KM, të fuqishme dhe efikase.

Do të falënderoja gjithashtu të gjithë anëtarësinë e IKM, KM apo kandidatë, sepse përkushtimi juaj, dëshira dhe profesionalizmi i juaj për të zhvilluar profesionin ka qenë jo vetëm frymëzim për ne, por edhe mbështetje e punës për ngritjen e organizatës sonë profesionale. Të gjithë së bashku anëtarë aktualë të IKM me pasionin, eksperiencën dhe vullnetin e tyre dhe brezat e rinj të IKM, me energjinë dhe njohuritë e tyre, kam bindjen se do të vijojnë ta çojnë IKM në suksese dhe arritje të tjera të reja dhe më të mëdha.

Pandemia botërore e Covid 19 ka krijuar vështirësi, ashtu si për të gjithë, edhe për KM, për aktivitetin e tyre. Por duke punuar me përkushtim profesional, me kujdes shëndetësor dhe duke bashkëpunuar së bashku, ne të gjithë po ja dalim dhe do t’ia dalim patjetër!

Të jesh anëtar i IKM është shprehje e një vlerësimi profesional, është vlerë e shtuar për KM, është krenari profesionale.

I uroj IKM dhe ju anëtarëve të saj Gëzuar 20 vjetorin dhe suksese të mëtejshme të gjithë së bashku. Le të punojmë dhe të kontribuojmë të gjithë së bashku për të pasur një organizatë profesionale të fortë dhe me një ndikim të rëndësishëm në jetën e vendit dhe në rajon!

Uroj të kaloni sa më lehtë dhe me kujdes këtë periudhë dhe uroj të shihemi sa më shpejt në festën e IKM!

Prof. Dr. Sotiraq DHAMO

President i IKM