IKM ju rikujton datën për datën 30 Prill 2020 si afatin e fundit ligjor për dorëzimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave për vitin 2019.

Të gjithë individët, qofshin këta shtetas shqiptarë ose të huaj, të ardhurat totale bruto  të të cilëve gjatë vitit 2019, arrijnë ose tejkalojnë shumën prej 2,000,000 lekësh (rreth 16,000 Euro). Individët që nuk e plotësojnë kushtin e mësipërm, mund te përllogarisin dhe dorëzojnë vullnetarisht Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave me qëllim përfitimin në kuadër të skemës së zbritjes së shpenzimeve (nëse zbatohet).

Të gjithë individët, subjekt deklarimi, janë të detyruar të përgatisin dhe të dorëzojnë këtë deklaratë në mënyrë elektronike në sistemin informatik të tatimeve e-tax.

Regjistrimi

Shtetasit shqiptarë do duhet të regjistrohen në mënyrë elektronike në sistemin

e-tax (klikoni këtu) duke vendosur të dhënat e tyre personale (numrin personal që gjendet në kartën ID, numrin e kartës së identitetit, emrin, mbiemrin, emrat e prindërve, datën e lindjes, postën elektronike, numrin e telefonit, Drejtorinë Rajonale Tatimore përkatëse) dhe vendosjen e një fjalëkalimi. Pasi të regjistrohen, shtetasit shqiptarë do të jenë në gjendje të hyjnë në profilin e tyre personal të e-filing, thjesht duke aksesuar me numrin e tyre personal dhe fjalëkalimin.

Shtetasit e huaj do duhet të kontaktojnë Drejtorinë Rajonale Tatimore përkatëse, personalisht ose përmes një personi të autorizuar dhe të paraqesin një seri dokumentesh, për t’u regjistruar me qëllim aktivizimin e një profili në sistemin e-tax.

Plotësimi

Deklarata është e përbërë nga dy seksione, A dhe B.

Seksioni A – plotësohet me të dhënat identifikuese të individit (p.sh. vendi i vendbanimit, emri, mbiemri, numri i identifikimit personal, adresa e banesës dhe të dhënat e pronësisë përkatëse, numri i personave nën kujdestari, etj.);

Seksioni B – plotësohet me të dhënat në lekë për:

  • Të ardhura të tatueshme (p.sh.. Pagat dhe shpërblimet e tjera, dividendët, te ardhurat nga interesat, fitimet nga kapitali, të ardhurat nga qiratë, pronësia intelektuale, të ardhurat e realizuara jashtë Shqipërisë, etj.);

  • Shpenzime të zbritshme (p.sh. interesi bankar për kredi të marra për qëllime arsimore, shpenzime për trajtimin mjekësor të pambuluar nga kontributet e detyrueshme shëndetësore);

  • Detyrimi tatimor, i llogaritur nga zbatimi i normave përkatëse tatimore sipas bazave përkatëse tatimore;

  • Detyrimi tatimor paguar gjatë/për vitin 2019 (përfshirë kreditimin e tatimit të huaj, nëse ka);

  • Detyrimi tatimor që rezulton për t’u paguar brenda 30 prillit 2020 ose kredia tatimore e disponueshme për rimbursim (me detaje të numrit të llogarisë bankare për rimbursimin).

Për çdo informacion mund t’i drejtoheni Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse.