Më datë 1 Dhjetor 2021, u zhvillua takimi vjetor me IFAC ku u diskutuan çështje të programit të anëtarësimit të IKM pranë saj. Në këtë takim morën pjesë; Kryetari i Këshillit të Drejtimit, Prof. Dr. Sotiraq Dhamo, përfaqësuesi i IFAC znj. Sarah Gagnon, Drejtori Ekzekutiv z. Dashamir Begaj si dhe anëtarë të Stafit Ekzekutiv.

Gjatë takimit u diskutua në lidhje me Rolin e IKM në makro-mjedisin dhe zhvillimet e fundit në juridiksionin Shqiptar, si dhe zhvillimet e fundit e ndodhura në IKM.

Me pas u diskutua për prioritetet e IKM për të ardhmen, ku një fokus të veçantë pati Konsolidimi i Listës së Kontabilistëve të Miratuar anëtarë të IKM, Kontrolli i Cilësisë së Anëtarëve, Plani dhe Strategjitë e Edukimit të Vijueshëm për vitet ardhshme, Dixhitalizimi dhe implementimi i Platformës së Anëtarësisë.

Së bashku me prioritetet u trajtuan dhe sfidat në arritjen e tyre, ku ende një prej problematikave kryesore vazhdon të jetë kontrabanda në profesion dhe informaliteti, ku IKM vazhdon përpjekjet për rritjen e angazhimit të palëve të treta. Gjithashtu një fokus të veçantë në këto sfida pati dhe qëndrueshmëria financiare dhe përdorimi i këtyre fondeve për përmirësimin e infrastrukturës, dixhitalizimin dhe ri-investimin për realizimin e objektivave afatgjata të IKM.

Si pjesë e detyrimeve të anëtarësisë në IFAC u diskutua rreth progresit në realizimin e Action Plan-it, ku një  pikë e rëndësishme ishte adoptimi i Kodit të Etikes të përditësuar, Standardeve Ndërkombëtare të Kontrollit të Cilësisë të përditësuara, si dhe adoptimi i praktikave më të mira për procesin e Investigimit dhe Disiplinës. Progresi i IKM në realizimin dhe adoptimin e këtyre ndryshimeve do të reflektohet në Action Plan-in dhe DBR gjatë vitit 2022 si pjesë e kërkesave të anëtarësisë në IFAC.

Gjithashtu u diskutua rreth komunikimit me IFAC dhe materialet e dërguara prej tyre, ku IKM planifikon të marrë autorizimin e nevojshëm për përkthimin dhe shpërndarjen e këtyre materialeve me anëtarësinë. IFAC ka përgatitur mjetet e nevojshme për Vlerësimin e Gatishmërisë Dixhitale të Organizatave Profesionale.

IKM vazhdon të jetë e angazhuar në plotësimin e kërkesave të anëtarësimit pranë IFAC, në adoptimin e praktikave më të mira, për t’u ardhur në ndihmë anëtarëve për të përmirësuar vazhdimisht cilësinë e shërbimeve të ofruara.