Nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit (KKK) më datë 07.12.2021, në ambientet e Hotel Tirana International u zhvillua një simpozium me temë: “Impakti i Pandemisë dhe risive fiskale në cilësinë e raportimit financiar të njësive ekonomike në Shqipëri”.

Në këtë simpozium të organizuar nga KKK merrnin pjesë dhe ishin prezent përfaqësues nga institucionet shtetërore si: Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Qendra Kombëtare e Biznesit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Bordi i Mbikëqyrjes Publike.

Gjithashtu ishin të ftuar dhe merrnin pjesë përfaqësues me numër të kufizuar të Organizatave Profesionale si: IEKA, IKM, dhe shoqata të tjera të financierëve të Shqipërisë.

Ky simpozium pati diskutime të vlefshme lidhur me përmirësimin e nivelit të shërbimit të kontabilitetit, nevojën e ndryshimeve të kuadrit ligjor dhe rregullator në fushën e këtij shërbimi dhe të raportimit financiar në përputhje me ligjin dhe standardet e kontabilitetit.

IKM përfaqësohej nga përfaqësues të Degëve, nga Presidenti i IKM, Z. Sotiraq Dhamo, Zv. Presidenti i IKM, Z. Fatmir Bërdica si dhe nga Drejtori Ekzekutiv Z. Dashamir Begaj.

Diskutime me shumë interes, që evidentuan problematika të ndryshme të hasura nga bizneset në këtë periudhë pandemie por dhe risish fiskale, pati nga Z. Sotiraq Dhamo i cili ngriti edhe njëherë me shumë forcë problemet e mëposhtme:

1. Problemin e kontrabandës në profesionin kontabël lidhur me mbajtjen e kontabilitetit dhe hartimin e Pasqyrave Financiare, duke ju kërkuar institucioneve shtetërore kompetente që të zbatojnë ligjin dhe kuadrin rregullator për këtë profesion. Ngritjen e këtij problemi e beri duke e lidhur me cilësinë e raportimit financiar, pra me qëllimin e ndikimit në përmirësimit e këtij raportimi. Në diskutimin e tij, Z. Sotiraq Dhamo ngriti problemin e deklarimeve të Pasqyrave Financiare në QKB, lidhur me mungesën firmës së hartuesit të Pasqyrave Financiare si dhe personave me kompetencë ligjore (të paligjshëm) për firmosjen e tyre, të cilët ligjërisht duhet të jenë ose të punësuar me kodin e nomenklaturës përkatëse të profesioneve ose të licensuar si Kontabilist i Miratuar, të regjistruar në një organizatë profesionale. Për këtë qëllim ju kërkua Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit që në bazë të kompetencave që i jep ligji si organi kompetent për mbikëqyrjen dhe zbatimin e ligjit “Për kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare” si dhe të Standardeve të Kontabilitetit, t’ju kërkojë me forcën e duhur QKB-së që të zbatojë kërkesat e ligjit Për kontabilitetin në lidhje me kontrollin e firmosjes së Pasqyrave Financiare nga personi përgjegjës për hartimin e tyre, si dhe për verifikimin e përmbajtjes së Pasqyrave Financiare që shkarkohen në sistemin e QKB.

Po ashtu u ngrit me forcë çështja e kryerjes së shërbimeve të kontabilitetit dhe deklarimeve tatimore nga ana e punonjësve të administratës tatimore dhe shtetërore që dëmton jo vetëm zhvillimin e profesionit të KM por dëmton rëndë edhe të ardhurat e buxhetit të shtetit. Dhe për këtë qëllim ju kërkua KKK-së që të ushtrojë ndikimin e tij pranë DPT dhe MFE për kontrollin e deklarimeve tatimore dhe të PF të subjekteve tatimore dhe për harmonizimin e rregullimit kontabël me atë fiskal.

Si dhe herë të tjera kjo kërkesë e Presidentit tonë u kundërshtua nga përfaqësuesit e QKB për mungesë të kompetencës qe i jep ligji, ndërsa nga përfaqësuesit e DPT nuk u pranua fakti që ka inspektorë tatimorë, të cilët mbajnë kontabilitet dhe përpilojnë PF pa i firmosur ato. Përfaqësuesit e DPT si edhe herë të tjera kur janë ngritur këto probleme nga ana jone edhe këtë herë kërkuan të dërgohen fakte me emrat përkatës të këtyre inspektoreve.

2. Ju kërkua QKB-së në zbatim të ligjit të profesionit 10 091 të ushtrojë kompetencën e saj lidhur me regjistrimin e aktiviteteve në fushën e mbajtjes së kontabilitetit duke kërkuar dokumentacionin e nevojshëm ligjor. Gjithashtu, u kërkua që në përputhje me ligjin dhe SKK, ku thuhet se janë të detyruar të hartojnë dhe të raportojnë Pasqyra Financiare të gjitha njësitë ekonomike me të ardhura 5 milion lekë e sipër, këto njësi të kenë detyrimin të raportojnë në QKB Pasqyrat Financiare me firmën e hartuesit ligjor, pra jo vetëm ata që janë të regjistruar për Tatim Fitimin.

3. Për të rregulluar problemin e firmosjes së Pasqyrave Financiare në përputhje me kërkesat e ligjit të kontabilitetit ju kërkua përfaqësuesve të DPT, si edhe herë të tjera, që të merret në konsideratë pajisja hartuesve ligjore të Pasqyrave Financiare me kod përkatës të dorëzimit të tyre në sistem. Lidhur me këtë problem nga përfaqësuesit e DPT u hodh ideja që të shikohet mundësia që të gjithë subjektet t’i deklarojnë dhe raportojnë Pasqyrat Financiare vetëm në QKB, pra jo dhe në tatime.

4. Për sa i përket procesit të fiskalizimit dhe zbatimit praktik të tij në diskutim u vu në dukje problemi i vështirësive si dhe i mangësive teknike të sistemit dhe shfaqjes së problematikave në implementim. Në diskutimin tonë u numëruan te gjithë problematikat e ngritura deri tani dhe u kërkua rishikimi dhe i afateve të zbatimit të masave ligjore për këtë proces.

Këto diskutime dhe probleme të ngritura nga Presidenti i IKM u përkrahën edhe në diskutimet e bëra nga përfaqësuesi i MFE, përfaqësuesit e IEKA, si dhe të shoqatave të tjera të financiereve të Shqipërisë.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbështeti propozimin e bërë nga IKM për krijimin e një regjistri të kodifikuar të profesionistëve duke i kërkuar madje përfaqësuesve të DPT që të kryejnë edhe ata procesin e filtrimit dhe verifikimit të pasqyrave financiare nga personat e autorizuar apo lejuar nga ligji për ta ushtruar këtë të drejtë. Sugjeroi që në rast se mungon, duhej ndërmarrë një ndryshim ligjor që të plotësohet një hallkë kaq e rëndësishme në zinxhirin që pengon evazionin. Vijoi më pas me konstatime që i drejtoheshin profesionistëve kontabël duke tërhequr vëmendjen sidomos të organizatave profesionale që duhej të bënin një punë më intensive me anëtarësinë për të thelluar procesin e formalizimit të biznesit përmes instrumentit të fiskalizimit.

Gjithashtu edhe në diskutimin e përfaqësuesit të BMP ku u shpreh se bordi i ri do te jetë i angazhuar dhe i motivuar për të punuar në këtë drejtim për të dhënë kontributin e tij në rregullimin ligjor të profesionit kontabël.

Në përfundim të diskutimeve kryetarja e KKK u angazhua se do të organizojë takime me institucionet, që nga pjesëmarrësit u vlerësuan si pjese e zgjidhjes, për të punuar në drejtim të ndërtimit të një baze ligjore apo zbatimit më të mirë të asaj ekzistuese