IKM njofton të gjithë anëtarët e vetë se:

Nëpërmjet Shkresës Nr. 611, datë 30.10.2020 të dërguar nga BMP mbështetur ne Nenin 17 te Ligjit Nr. 10091, date 05.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të Audituesit Ligjor dhe të Kontabilistit të Miratuar” i ndryshuar, për të realizuar testimet, ne kuadrin e Provimit Përfundimtar të Aftësive Profesionale shpallet hapja e kandidaturave për anëtarë të Komisionit të Provimeve të Aftësive Profesionale (KPAP).

Në zbatim të pikës 2 të Nenit të sipërcituar, si dhe në përputhje me Rregulloren Nr. 2, datë 22.02.2018, të BMP “Për funksionimin e Komisionit të Provimeve të Aftësive Profesionale dhe Mbikëqyrjes së procesit të testimit të kandidatëve për Auditues Ligjor dhe Kontabilist të Miratuar” e ndryshuar, IKM do të dërgojë propozimin e tij për anëtarë të KPAP.

Kandidatët për anëtarë të këtij komisioni duhet të përmbushin kriteret e përcaktuara si më poshtë:

  1. Duhet të kenë përfunduar, të paktën, studimet universitare të ciklit të dytë, në nivelin “Master” ose të zotërojnë diplomë universitare të ekuivalentuar me këtë nivel, si dhe të jenë specializuar në fushat e ekonomisë dhe/ose të jurisprudencës, të cilat duhet të jenë të lidhura me auditimin, kontabilitetin dhe financën, me përvojë profesionale jo më të vogël se dhjetë vite, ose 7 vite përvojë pune, në rast se mbajnë një grade apo titull shkencor. Gjithashtu, përfaqësuesit e parashikuar në pikën 2 të këtij neni duhet të:

    1. Të jenë shtetas shqiptarë;

    2. Të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata.

    3. Të mos jenë të angazhuar në role apo funksione politike

    4. Të mos kenë konflikt interesi me anëtarët e Bordit të Mbikëqyrjes Publike apo strukturat mbikëqyrjes së veprimtarisë së komisionit

    5. Të mos jenë në strukturat/këshillat drejtuese të më shumë se një nga organet/institucionet/organizatat e parashikuara ne Ligjin 10091/2009 që lidhen drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë me përzgjedhjen dhe veprimtarinë e KPAP

  2. Përveç kritereve të mësipërme përfaqësuesit e parashikuar në pikën 2 të këtij neni do të konsiderohen preferenciale kriteret e mëposhtme:

    1. Të kenë eksperiencë në ligjërime apo trajnime profesionale në fushën e auditimit, kontabilitetit dhe financës;

    2. Të kenë publikime në revista shkencore, konferenca ose pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme kërkimore-shkencore së paku në 5 vitet e fundit në fushën e auditimit, kontabiliteti dhe financës.

  3. Të kenë përmbushur të gjitha detyrimet statutore ndaj IKM

Dosja e aplikimit me të gjithë dokumentacionin vërtetues duhet të dorëzohet fizikisht pranë zyrave të IKM, si dhe në format elektronik (*.pdf) në adresën e e-mailit ikm.alb@gmail.com

Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit është data 05 Nëntor 2020, ora 15:00. Të gjitha aplikimet e dërguara pas këtij afati nuk do të merren në konsideratë.

Do të njoftohen vetëm kandidatët e përzgjedhur pas vlerësimit dhe miratimit nga Këshilli i Drejtimit.