Të nderuar kolegë

Uroj para së gjithash që ju dhe familjarët tuaj të jeni mirë me shëndet.

Shqipëria, ashtu si shumë vende anembanë botës, po kalon aktualisht një periudhë sa të veshtirë aq edhe të pazakontë, për shkak të pandemisë botërore të COVID-19. E tillë është ajo për të gjithë, njërëzit, qeveritarët, bizneset.  Kjo epidemi e pazakontë ka prekur dy nga shtyllat më të rëndëishme të njerëzimit: jetën dhe ekonominë të cilat i  rrezikon seriozisht.

Për të mbrojtur jetën e popullsisë, qeveritë e të gjithë vendeve të botës kanë ndërmarrë një sërë masash. Edhe qeveria shqipare ka ndërmarrë një sërë masash kufizuese, veçanërisht shumë të forta dhe agresive, duke kufizuar shumë lëvizjen e njerëzve si dhe aktivitetin e shumë bizneseve shqiptare.  Por edhe mbyllja apo kufizimi i aktivitetit të shumë bizneseve në vende të huaja që kanë lidhje me ekonominë shqiptare ndikon në ecurinë e aktivitetit të shoqërive vendase.

Në këtë situatë, krahas marrjes së masave për mbrojtjen e shëndetit të popullsisë duke u munduar të kurojnë por edhe të pengojnë përhapjen e epidemisë, qeveritë duhet të mendojnë edhe  për përballjen e kësaj situate aktuale nga bizneset si edhe për periudhën e pas epidemisë.

Kufizimet aktuale kanë prekur edhe profesionistët e kontabilitetit, që e ushtrojnë aktivitetin si të pavaruar po edhe të punësuar pranë shoqërive shqiptare apo administratës shtetërore. Aktualisht shumë kontabilistë të pavaruar apo të punësuar gjenden në kushtet ku nuk mund të shkojnë pranë klientëve të tyre apo klientët të vijnë pranë zyrave të tyre. Dhe periudha e shpalljes së masave ishte pikërisht një nga periudhat më të ngarkuara të kontabilisitëve që lidhet me përgatitjen e Pasqyrave Financiare të vitit 2019 dhe të deklarimeve përkatëse tatimore. Po ashtu, si thotë drejtori ekzekutiv i IFAC Kevin Bancey “distancimi social nuk do të thotë jo angazhim, jo kryerje e punëve” pra nuk do të thotë që të mos punohet. Sigurisht që duhet të punohet, duke respektuar kërkesat dhe masat e marra nga autoritetet dhe me kujdesin e duhur të kërkuar nga situata. Nuk duhet të çoroditemi, por të përqëndrohemi dhe të mendohemi për të gjetur rrugëndaljen e duhur nga kjo situatë si për shëndetin ashtu edhe për ekonominë, biznesin dhe profesionin tonë.

Në këto kushte të krijuara kërkohet që profesionistët e Kontabilitetit dhe të auditimit dhe në veçanti Kontabilistët e Miratuar, të rishikojne mënyrën e organizmit të punës dhe të ofrimit të shërbimeve duke ju përshtatur situatës së levizjeve të kufizuara  jo vetëm të bizneseve por edhe të vetë kontabilistëve dhe stafit të tyre. Duhet të rishikohet se si mund të organizohet ofrimi i shërbimit nëpërmjet përdorimit të mjeteve të dixhitalizuara, shërbimit në distancë, cloud, etj. IFAC prej kohësh ka nisur një projekt dhe fushatë sensibilizuese dhe edukimi në lidhje me dixhitalizimin e Kontabilitetit dhe të shërbimeve të lidhura. Kjo kërkon që kontabilistët të mendojnë riorganizimn e zyrave të tyre, të shërbimeve që ofrojnë dhe të mënyrës së ofrimit të tyre duke menduar edhe përballimin e situatave të tilla që kufizojnë lëvizjen.

Por situata e pazakontë që ka vendosur në vështirësi bizneset, kërkon që kontabilisët të përgatiten se si të ndihmojë ato, t’ju ofrojnë sa më mirë dhe më efikasitet klientëve apo punëdhënësve të tyre. Kontabilistët mund të ndihmojnë bizneset nëpërmjet këshillave për një planifikim të burimeve financiare dhe njerëzore në kushtet e krijuara nga pandemia botërore, që ata të bëjnë një planifikim efikas të mjeteve monetare per periudhën e epidemisë por edhe pas saj, një planfikim sa më të mirë në drejtim të tatimeve e taksasve, me qëllim që bizneset të kenë mundësi jo vetëm që të jenë në pajtueshmëri me ligjet dhe detyrimet ligjore të tyre, por edhe të përballojnë detyrimet e tyre gjatë kësaj periudhe dhe të rigjallërohen me sukses pas kapërcimit të pandemisë të COVID 19.  Në këtë kuptim roli i kontabilistëve për t’ju ofruar shërbime cilësore dhe efikase publikut është i rëndësishëm.

Pavarësisht vështirësive që evidentohen aktualisht dhe atyre që dhe pritet të dalin në horizontin e ekonomisë në të ardhmen e afërt, profesionistët shqiptarë të Kontabilitetit do ta kapërcejnë, duke punuar më shumë, duke studiuar dhe përmirësuar shërbimet dhe mënyrën e kryerjes së tyre. Një profesion i fortë duket dhe evidentohet në përballimin e sfidave të tilla edhe si kjo aktuale e pandemisë të COVID 19, në gjetjen e rrugëve të reja për përmirësimin dhe zhvillimin e fortë të tij.  Me qëllim që të ndihmojë KM, aëntarët e saj pë përballimin e këtyre sfidave IKM do të jetë gjithnjë në ballë të përpjekjeve dhe pranë antarëve të saj. IKM i është bashkuar nismës së drejtuesve të IFAC dhe të një sërë anëtarëve të saj, për të krijuar një hapësirë informacioni në faqen e tyre të internetit ne lidhje me COVID 19. Adresa e kësaj faqe është COVID-19 Resources. Në këtë hapësirë, perveç masave te ndërmarra nga qeveria shqiptare, por edhe ato të vendeve të tjera, do të mund të gjenden informacione të ndryshme rreth zhvillimeve të situatës për COVID 19, edhe artikuj, botime, mendime dhe sugjerime të ndryshme në lidhje me zhvillimin e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit dhe përballimin e sfidave të epidemisë globale. Por edhe me mundësinë e dixhitalizimit të shërbimeve të Kontabilitetit dhe ato të lidhura. Shumë anëtarë të IFAC kanë hapur nje faqe informuese COVID 19.  Ky informacion grumbullon eksperiencën e shumë kontabilistëve nga shumë vendeve të botës dhe vlerësojmë se do të shërbejë në përballimin e sfidave aktuale dhe të së ardhmes të profesionit të Kontabilitetit.

IKM mirëpret çdo sugjerim apo material që ju mendoni që të përfshihet në këtë burim informacioni COVID 19 dhe që mund të ndihmojë.

Në përfundim unë jam i bindur, duke njohur nivelin e antarësisë të IKM, se KM anëtarë të IKM, por jo vetëm, kanë qënë në krye të detyrave të tyre gjatë kësaj periudhe, duke ditur të përballojnë kërkesat e bizneseve për raportimin financiar, tatimor dhe këshillat e tjera të nevojshme për të përballuar këtë situatë. Sigurisht duke zbatuar dhe respektuar kërkesat e masave të ndërmarra nga qeveria për distancimin social. Dhe shpreh bindjen e plotë se vetëm kështu, duke bërë kujdes, duke zbatuar masat e kërkarua për distancimin social, si dhe duke punuar, kërkuar dhe gjetur mënyrat e reja të organzimit të shërbimeve të kontabilitetit, do të kapërcejmë të gjithë së bashku këtë situatë jo normale dhe gati sureale për vendin tonë dhe për të gjithë njerëzimin.

Duke ju uruar shëndet të plotë juve dhe të afërmeve tuaj dhe duke u kujtuar të bëni kujdes dhe të zbatoni kërkesat e nevojshme të distancimit social,

Uroj që të përballoni sa më mirë, me shëndet dhe më lehtë në të gjitha drejtimet këtë pandemi botërore të COVID 19.

Kryetari i Këshillit të Drejtimit
Prof. Dr. Sotiraq Dhamo

Për çdo nevojë për informacion të nevojshëm mos hezitoni të na kontaktoni.

Mëposhtë mund të gjeni linkun për webpage COVID-19 Resources

https://bit.ly/2JuVGG6