LIGJ Nr. 30/2019
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 9723, DATË 3.5.2007, “PËR REGJISTRIMIN E BIZNESIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDII REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
Në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 22, pas pikës 4 shtohet pika 4/1 me këtë përmbajtje:
“4/1. Aplikimi për ndryshimin e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e ngjarjes së rrethanës faktike të ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji.”.
Neni 2
Në nenin 26, pika 3 ndryshohet si më poshtë:
“3. Aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare bëhet bashkërisht nga të gjithë themeluesit ose nga administrator i shoqërisë kur autorizohet, ose nga çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët ose çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimin e veprimeve juridike, me të cilat lidhen pjesëmarrjet,kuotat apo aksionet mund të kryhet, gjithashtu, dhe nga anëtari, ortaku apo aksionari, të cilit ato i përkasin, ose nga çdo person i autorizuar prej tyre.”
Neni 3
Në nenin 74, pas pikës 3 shtohen pikat 3/1 dhe 3/2 me këtë përmbajtje:
“3/1. Mosrespektimi i detyrimit të përcaktuar në pikën 4/1, të nenin 22, të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 50 000 lekë.
3/2. Mosrespektimi i detyrimit të përcaktuar në pikën 4, të nenit 43, të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 100 000 lekë.”.
Neni 4
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 17.6.2019
Shpallur me dekretin nr. 11212, datë 4.7.2019
të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Ilir Meta.
LIGJ Nr. 31/2019PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 9920, DATË 19.5.2008, “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
Në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
Neni 1
Në nenin 59, pas pikës 1/1 shtohen pikat 1/2 dhe 1/3 me këtë përmbajtje: “1/2. Tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi që realizojnë, si dhe organizatat jofitimprurëse të regjistruara në organin tatimor, janë të detyruar të kenë llogari bankare të biznesit/organizatës së regjistruar dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore.
1/3. Tatimpaguesit e regjistruar rishtas, janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës jo më vonë se 20 ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit/administratën tatimore dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore.”.
Neni 2
Në nenin 120 shtohen paragrafët me këtë përmbajtje:
“Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në pikën 1/2 dhe 1/3 të nenit 59, të këtij ligji nga tatimpaguesit dënohen si më poshtë:
- a) për tatimpaguesit, persona fizikë tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar, me qarkullim deri në 8 000 000 (tetë milionë) lekë, gjobë në masën 25 000 lekë;
- b) për tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi, si dhe tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, me qarkullim mbi 8 000 000 (tetë milionë) lekë, gjobë në masën 50 000 lekë;
- c) për organizatat jofitimprurëse, gjobë në masën 37 000 lekë. Në rast të vazhdimit të mosrespektimit të detyrimit të pikës 1/2 dhe 1/3, të nenit 59, të këtij ligji, edhe pas dënimit, sipas shkronjave “a”, “b” dhe “c”, të këtij paragrafi, tatimpaguesi dënohet me dyfishin e gjobës së parë.”.
Neni 3
Dispozitë kalimtare
Tatimpaguesit e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit/administratës tatimore janë të detyruar të hapin llogarinë bankare, jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore.
Neni 4
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 17.6.2019
Shpallur me dekretin nr. 11213, datë 4.7.2019 të Presidentit të
Republikës së Shqipërisë,
Ilir Meta.