Milton Freidman në vitin 1960 në një nga udhëtimet e tij në Azi vendosi të vizitonte një kantier ndërtimi. I çuditur nga fakti që në kantier pa njerëz me lopata që lëvizin dheun, dhe jo makineri (ekskavatorë) pyeti: Përse nuk përdorni makineri? Përfaqësuesi i qeverisë që e shoqëronte i përgjigjet – “Nuk e kuptoni?  Është një program punësimi.” Freidman i kthehet plot ironi – Ah, mendova se donit të ndërtonin një kanal. Nëse doni thjesht të punësoni sa më shumë, ju duhet t’ju jepni punëtorëve tuaj lugë jo lopata.”

Rritja ekonomike, e cila sipas Hararit është “Perëndia Supreme pasi drejtësia, liria, madje dhe lumturia varen direkt nga rritja ekonomike”, përcaktohet nga dy komponentët që qartazi i tregon biseda e Freidman-it me Qeveritarin Aziatik”. Norma e rritjes është numerikisht e barabartë me ndryshimin e përqindjes në prodhimin real për një punëtor (e quajtur ndryshe  “produktivitet”) plus ndryshimin në përqindje të numrit të punëtorëve.

Po cili nga këto të dy variabël është i rëndësishëm? Matematikisht të dy variablat tingëllojnë njësoj të rëndësishëm. Nëse gjatë një periudhe numri i të punësuarve do të ulej me 10%  duhet të rritet produktiviteti mesatar i punëtorit të paketën me 10% në mënyrë që të mos përjetonim ulje ekonomike ose kontraktim. Raporti i Zhvillimit Botëror i Bankës Botërore 2013 (WDR) argumenton se vendet e punës, janë çelësi që njerëzit të dalin nga varfëria  pasi një vend pune u mundëson njerëzve të varfër të përdorin të vetmin aset që kanë krahun e punës, për të krijuar të ardhura. Por një rritje ekonomike që vjen si rezultat thjesht i punësimit, pa rritje në produktivitet ose dhe më keq zvogëlim të tij, nuk mund të jetë afatgjatë për ekonominë.

Të dhënat e INSTAT për periudhat, 2005-2012 dhe 2013-1019 tregojnë trendin e mëposhtëm te rritjes ekonomike si dhe të dy variablave përcaktues të saj, ndryshimin e numrit të të punësuarve dhe ndryshimin në produktivitetin mesatar për të punësuar.

2005 – 2012

2013 – 2019

Rritja kumulative ekonomike

35.7%

19.1%

Ndryshimi kumulativ i nr. të të punësuarve  në vite

3.2%

18.6%

Ndryshimi kumulativ  në produktivitetin për të punësuar

32.5%

0.5%


Por fakt është që jashtë propagandës së “300’000 vendeve të punës“ duhet të zhveshim rritjen e punësimit nga efekti i formalizimit dhe në të njëjtën kohë duhet të pranojmë se periudha 2013-2019 ka qenë një periudhë e ritmeve të ulta të rritjes për produktivitetin në gjithë botën.
Kuptohet një faktor i cili do të vendoste në një dyshim të rëndësishëm bazën krahasimore midis këtyre të dhënave është informaliteti në deklarimin e të punësuarve në vitet 2005-2012, dhe formalizimi i tyre gjatë periudhës 2013-2019. Informaliteti shtrembëron padyshim konkluzionet, të cilat në mënyrën sesi paraqiten të dhënat më sipër  tregojnë  që rritja ekonomike gjatë periudhës 2005-2012 ka ardhur më së shumti si rezultat i rritjes së produktivitetit për të punësuar ndërsa gjatë periudhës 2013-2019 ka ardhur si rezultat i punësimit.

Por pavarësisht trendit  rënës së produktivitetit global pas krizës së 2008, Shqipëria e ka atë një problem thelbësor të rritjes ekonomike. Një studim i Bankës Botërore (2019) tregon se në sektorin e tekstileve, veshjeve dhe lëkurës, një kompani  mesatare në BE  është 5 herë më produktive se një kompani  mesatare shqiptare. Kjo do të thotë që një  kompani shqiptare e veshjeve ka nevojë për 5 herë më shumë “punëtorë  me lopatë “ për të prodhuar të njëjtën prodhim sesa një kompania në BE, punëtorët e të cilës përdorin makineri dhe kanë njohuri në përdorimin e tyre. Ky sektor i cili rezulton me produktivitet 5 herë më të ulët zë 24% të punësimit në Shqipëri . Ndërkohë që 25% e punësimit  sot është në një sektor me produktivitet edhe më të ulët, sektorin e tregtisë dhe riparimeve.

Punësimi sipas sektorëve të ekonomisë në Shqipëri

Politikanët përgjithësisht e shikojnë ekonominë si “program punësimi“. Ato nuk ngurojnë të quajnë arritje e përgjegjshmëri, rritjen ekonomike që vjen nga “punësimi me lopatë”. Por që prej vitit 1956, Robert Solow (Fitues i çmimit  Nobel në 1987) na sugjeron, “që duhet të pranojmë  e të kuptojmë që rritja ekonomike varet nga çdo veprim apo politik-bërje që zgjeron në mënyrë të përhershme formimin e kapitalit njerëzor dhe kapitalit fiks të një vendi ( investimet)”.

Pra, nëse na intereson mirëfilli zhvillimi ekonomik i Shqipërisë do të  na duhet  ti ikim “vetëkënaqësisë politike afatshkurtër të vendeve të punës” dhe të fokusohemi tek zgjidhja afat-gjatë e rritjes së produktivitetit i cili bazohet tek, përditësimi i njohurive, difuzioni i teknologjisë dhe inovacioni,  si dhe tek formimi i kapitalit fiks.

The Economist raporton që: ”Valët e zhvillimit industrial  të vërejtura në vitet 1920 vinin çdo 50-60 vjet. Nga fundi i viteve 1990, valët e zhvillimit industrial u përshpejtuan me të pakën dy herë, pra ardhja e tyre vërehet 25-30 vjet. Në 2040 shpeshtësia e tyre duket se do të dyfishohet  përsëri. Valët e inovacioneve të reja do të vinë çdo 10 – 15 vjet.”

Si mund t’i adoptojmë edhe përditësojmë njohuritë tona me një frekuencë kaq të shpeshtë ndryshimi? Qasja logjike e adaptimit  do të ishte te përditësimi më i shpeshtë i kurrikulave arsimore. Reforma në arsim megjithëse e domosdoshme nuk mund të jetë kurrë e mjaftueshme. Sot është bërë imperative të mësuarit përtej viteve të shkollës. Sot ka mungesë  të vërtetë në përpjekjet e bëra drejt mësimit të vazhdueshëm pas diplomimit. Ndërsa vendet e punës bëhen gjithnjë e më teknike, rritet rëndësia e trajnimit në punë. Duhet të krijojmë dhe ofrojmë  të gjithë stimujt që do të mundësonin të mësuarit  e vazhdueshëm.

Elementi i dytë që lidhet me produktivitetin ka të bëjë me  difuzionin  dhe shpërndarjen e teknologjisë. Analiza e Institutit Global McKinsey, tregon që shumë vende në mbarë botën mund të përfitojnë jashtëzakonisht shumë nga adoptimi më i shpejtë i teknologjive që tashmë ekzistojnë. Dhe  për vet vendet G-20, 75% e produktivitetit e ka bazën në  nga përvetësimit e shpejtë të teknologjive ekzistuese  dhe 25% tek inovacioni. Bizneset dhe politik-bërësit duhet të mendojnë se mund  të shpejtohet ky proces.

Elementi i tretë por jo më pak i rëndësishëm është Formimi i kapitalit fiks, ose Investimet.

Një nga çelësat e suksesit të  ekonomisë së dytë në botë, Kinës, konsiderohet norma e lartë e kursimeve kombëtare. Por këto norma nuk do të kishin vlerë pa një  ndërmjetësimin financiar efiçent. Kjo efiçencë, lidhet me funksionimin e plotë të tregut të kapitaleve dhe ekzistencën e ndërmjtësave financiarë (jo banka). Pikërisht kompletimi dhe mirëfunksionimi i kësaj infrastrukture financiare  rrit mundësinë e transformimit të kursimeve në  investimeve kapitale, duke rritur kështu edhe  produktivitetin.

Megjithëse ne konsiderohemi një vend me kursime të larta të cilat kapin rreth 66.7 % të PBB (viti 2019) formimi e kapitalit fiks bruto është  anemik dhe në rënie.

Një nga faktorët që shpesh anashkalohet është pikërisht mungesa e “eficencës në  ndërmjetësim”. Sot 2/3 e investimeve kapitale në botë financohen nga fondet e investimit dhe fondet private të pensioneve të cilat kanë avantazhin e financimit me afate shumë më të gjata sesa ndërmjetësit tradicional bankar.

Tanimë, është kusht i nevojshëm funksionaliteti i plotë i tregut të kapitalit i cili do të lehtësonte ndërmjetësimin e kursimeve të publikut drejt investimeve, dhe do të gjallëronte ekzistencën e ndërmjetësve të tjerë financiarë  duke mos ja lënë më monopolin e vendimmarrjes për financimin e  ekonomisë vetëm bankave.

Është në dorën tonë të zgjedhim të vazhdojmë t’u mëshojmë tezave populiste “të rritjes së punësimit me lopate ose më keq me lugë”, apo dhe të vazhdojmë naivisht të ftojmë investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri sepse krahu i punës është i lirë. Sikurse është në dorën tonë të zgjedhim të largohemi një herë e mire mendësisë se konkurrencës “me paga të ulta“ dhe ti drejtohemi njerëzve dhe politikave të produktivitetit – jo vetëm sepse rritja ekonomike varet nga kjo, por edhe  sepse ne mundemi ta bëjmë një gjë të tillë.

 

Irena BEQIRAJ CFA dhe CA