IKM, në kuadër te situatës emergjente të krijuar kohët e fundit për shkak të virusit COVID 19, i është drejtuar Ministrisë së Financave, për dijeni të Drejtorisë së Përgjithshme te Tatimeve dhe kreut të Qeverisë me një kërkesë për shtyrjen e Afatit të dorëzimit të Pasqyrave Financiare dhe të Deklaratës së Tatimit mbi Fitimin.

Kërkesa është dërguar duke marrë në konsideratë një sërë arsyesh:

  1. Për shkak të situatës emergjente të epidemisë së COVID-19 Qeveria Shqiptare ka kërkuar  kufizime të kontakteve mes njerëzve, kufizime të shërbimeve institucionale , mundësisht qëndrime në shtëpi në të mirë të shëndetit të gjithë popullsisë Shqiptare. Po ashtu ka kërkuar edhe mbylljen e bareve dhe restoranteve në Tiranë dhe Durrës, transportit urban në këto qytet, etj. masa parandaluese.

  2. Shumë shoqëri shqiptare e kanë kufizuar shumë aktivitetin ose e kanë ulur ndjeshëm kontaktet me të tretët në kuadër të plotësimit të kërkesave të qeverisë Shqiptare por edhe për të evituar maksimalisht përhapjen e virusit.

  3. Në kuadër të plotësimit të kërkesave të qeverisë edhe anëtarët tanë Kontabilistë të Miratuar por edhe ata që punojnë në shoqëritë Shqiptare, nën përgjegjësinë për të ruajtur veten dhe të tjerët, e kanë kufizuar në maksimum lëvizjen dhe kontaktet, të cilat do të ishin të nevojshme për të realizuar procesin e ndërtimit të PF.

Shtyrja e afatit është kërkuar duke marrë shkas në pamundësinë, në kushtet e krijuara, të realizohen kërkesat ligjore në lidhje me Deklarimet, të cilat e kanë afatin deri më 31 Mars 2020. Kjo iniciativë e IKM është mbështetur dhe nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHA), Dhoma Italiane e Tregtisë (CCIA), Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Shoqëri Kontabiliteti dhe palë të prekura drejtpërdrejtë nga kjo situatë.

IKM ju uron që ta kaloni sa më lehtë këtë periudhë emergjente.

Më poshtë mund të shkarkoni kërkesën.