John Kenneth Galbraith me plot ironi thotë “parashikimet ekonomike kanë vetën një qëllim, të rrisin respektin e shoqërisë për astrologjinë”. Në një periudhë të trazuar pandemie,  ekziston  një marrëdhënie komplekse midis: jetëgjatësisë së virusit, efektivitetit të kontrollit të  tij, politikave mbështetëse  ekonomike, dhe sjelljes së sektorit privat. Në kushtet e një pasigurie ekstreme dhe komplekse, në kushtet mungesës së ligjeve universale në shkencën ekonomike, përpjekja për të parashikuar thellësinë, zgjatjen dhe efektet e këtij recesioni, mund të duket një përpjekje që do të vërtetonte ironinë e Galbraith-it.

Megjithatë, çdo qytetar, apo lexues ka pyetje të thjeshta, të cilat kërkojnë përgjigje. A do jetë ky një recesion afat shkurtër? Si do të jetë normalitet i ri ekonomik, i ngjashëm me atë që kishim? “Gjeometria e goditjeve ”  njeh disa forma standarde të rikuperimit, ku format më standarde janë format  V, U dhe  L.

Goditja në formë V-je, tregon  një dalje të shpejtë nga recesioni, gjë që do të thotë se humbjet në PBB,  janë  afat shkurtra dhe ekonomia rikthehet shpejt në kushte normale të para krizës.

Goditja  në formë U-je: tregon  një dalje më të ngadaltë  nga recesioni. Prodhimi i Brendshëm Bruto pëson një humbje permanente për shkak të falimentimit të bizneseve, edhe  humbjes së përkohshme të disa tregjeve. Në këto kushte, duhet të paktën 2-3 vjet për të dalë nga recensioni.

Goditja në formë L-je  -tregon që recesioni ka krijuar  dëme  sinjfikante strukturore ekonomike, sidomos nga ana e ofertës.  Thënë këtë   rënia ekonomike do të jetë afat gjatë,  duke ndikuar në uljen e investimeve ( formimin të kapitalit fiks bruto ) në  rritjen e papunësisë dhe në uljen e  produktivitetit.

Grafiku tregon 3 vende që shfaqin  gjeometri të ndryshme të rimëkëmbjes gjatë recesionit  të 2008-s. SHBA në formë V-je , Islanda në formë U -je dhe Greqia në formë L.

Studimet empirike sjellin lajme të mira. Në përgjithësi recesionet e shkaktuara nga katër  pandemitë më të mëdha e shekullit të fundit kanë qenë në formë V-je . Por këtë herë, për  shkak të  pasigurive mbi “jetëgjatësinë e pandemisë” si dhe kohës që duhet për të zbuluar vaksinën apo kurimin e duhur, shpresa  që recesioni të jetë në formë V-je po zbehet çdo ditë edhe më shumë.

Nëse virusi nuk vendoset në kontroll brenda  verës 2020,  forca goditëse do të jetë më e fortë për ekonomitë të ngjashme me tonën që,

1) në strukturën e tyre prodhuese kanë kryesisht sektorë që bazohen më së shumti tek krahu i punës,

2) struktura e ndërmarrjeve paraqitet e fragmatizuar, ku pjesën dërmuese e zënë bizneset me më pak se 10 punëtorë dhe

3) vendet që pavarësisht madhësisë së stimulit fiskal, qartësia dhe shpejtësia në implementim ka qenë e dobët.

Rritja e forcës goditëse,  aftësia e goditjes për të  dëmtuar  kapacitetin  e formimit të kapitalit bruto (ndryshe Investimet) do të  rritet, duke përkeqësuar  aneminë  që ka shfaqur ekonomia jonë në dekadën e fundit pas recesionit të madh të 2008, pikërisht në këtë aspekt. Rrjedhimisht  “gjeometria e goditjes” do të  mund të përkeqësohet,  duke kaluar në U ose më keq në L.

Grafiku i formimit të kapitalit bruto tregon luhatshmërinë në normat e rritjes së këtij të fundit, sidomos në dekadën e fundit, ku nuk kanë munguar edhe vlerat negative. Kjo për shkak edhe të varësisë që ka ekonomia jonë e vogël nga investimet e huaja direkte.

Eksperienca e recesioneve të mëparshme tregon se vendet eksportuese, pra vendet me surplus të bilancit tregtar, (vende që më shumë eksportojnë se importojnë) vendet që kanë bankat e tyre qendrore ( d.m.th monedhën e tyre  kombëtare) dhe vendet që aplikojnë kurset fleksibël të këmbimit valutor,  kanë mundësi që me politikat e duhura të rrisin shpejtësinë e rimëkëmbjes. Historia ekonomie e recesioneve ka treguar katër determinantë kryesorë, të cilët kanë përcaktuar shpejtësinë e rimëkëmbjes  nga recesioni. Faktori i parë është mbështetja e  sektorëve kryesor eksportues. Çdo kontraktim, apo kufizimin i kërkesës së brendshme për mallra edhe shërbime mund të tejkalohet lehtësisht në ekonomitë eksportuese. Faktori i dytë në përcaktimin e shpejtësisë së rimëkëmbjes, është ndryshimi në bazën monetare M2. Një rritje e bazës monetare  M2  do të çonte në një rikuperim më të shpejtë. Rritja e bazës monetare M2 nëpërmjet lehtësimit sasior (kryesisht nëpërmjet monetarizimit të borxhit publik)  i krijon likuiditetin e nevojshëm buxhetit, duke rritur kështu shpejtësinë e rikuperimit ekonomik. Po ashtu, një zhvlerësim i monedhës është i nevojshëm për të rritur shpejtësinë e  daljes nga recesioni.  Faktori i tretë është rritja  normës së formimit i kapitalit si përqindje e PBB-së pasi në ekonomitë në zhvillim nivelet më të larta të investimeve çojnë në një rikuperim më të shpejtë. Faktori i katërt është ruajtja edhe forcimi i besimit të konsumatorit dhe investitorëve në ekonomi.

Megjithëse  jemi një ekonomi me bilanc tregtar negativ, mund të rrisim shpejtësinë e daljes nga recesioni nëse vëmendjen  dhe  mbështetjen tonë e përqendrojmë tek sektorët eksportues, duke ofruar paketë mbështetje të strukturuar vetëm për këto sektorë. Së dyti, më shumë sesa  rritja e konsumit familjar është e rëndësishme për vitet në vazhdim, rritja e investimeve dhe formimi i kapitalit bruto. Për këtë arsye, përtej ndihmës ekonomike sociale e dogmave “mbi fytyrën humanitare të qeverisë “, fokusi i rimëkëmbjes duhet të jetë zhvillues, edhe  duhet të jetë tek biznesi, mos-cënimi i kapaciteteve ekzistuese  dhe rritja e mëtejshme e kapaciteteve të tij investuese.

Dhe së treti, ndryshe nga Greqia që përjetoi një goditje të formës L në Recesionin e 2008, si rezultat edhe i mungesës së një Banke qendrore Kombëtare dhe të një monedhe vendase, gjë që nuk ndodhi me Islandën,  Shqipëria sot i ka të dyja.

Në epokën e COVID-19, asgjë nuk është e pamundur,  por duhet të  urojmë më të mirën dhe  të përgatitemi për më të keqen.

Irena Beqiraj, CFA