SHTYRJA E AFATIT TE DORËZIMIT TË PF DHE DEKLARATËS SË TATIM FITIMIT
IKM, në kuadër te situatës emergjente të krijuar kohët e fundit për shkak të virusit COVID 19, i është drejtuar Ministrisë së Financave, për dijeni të Drejtorisë së Përgjithshme te Tatimeve dhe kreut të Qeverisë me një kërkesë për shtyrjen e Afatit të dorëzimit të Pasqyrave Financiare dhe të Deklaratës së Tatimit mbi Fitimin.
Kërkesa është dërguar duke marrë në konsideratë një sërë arsyesh:
Për shkak të situatës emergjente të epidemisë së COVID-19 Qeveria Shqiptare ka kërkuar kufizime të kontakteve mes njerëzve, kufizime të shërbimeve institucionale , mundësisht qëndrime në shtëpi në të mirë të shëndetit të gjithë popullsisë Shqiptare. Po ashtu ka kërkuar edhe mbylljen e bareve dhe restoranteve në Tiranë dhe Durrës, transportit urban në këto qytet, etj. masa parandaluese.
Shumë shoqëri shqiptare e kanë kufizuar shumë aktivitetin ose e kanë ulur ndjeshëm kontaktet me të tretët në kuadër të plotësimit të kërkesave të qeverisë Shqiptare por edhe për të evituar maksimalisht përhapjen e virusit.
Në kuadër të plotësimit të kërkesave të qeverisë edhe anëtarët tanë Kontabilistë të Miratuar por edhe ata që punojnë në shoqëritë Shqiptare, nën përgjegjësinë për të ruajtur veten dhe të tjerët, e kanë kufizuar në maksimum lëvizjen dhe kontaktet, të cilat do të ishin të nevojshme për të realizuar procesin e ndërtimit të PF.
Shtyrja e afatit është kërkuar duke marrë shkas në pamundësinë, në kushtet e krijuara, të realizohen kërkesat ligjore në lidhje me Deklarimet, të cilat e kanë afatin deri më 31 Mars 2020. Kjo iniciativë e IKM është mbështetur dhe nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHA), Dhoma Italiane e Tregtisë (CCIA), Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Shoqëri Kontabiliteti dhe palë të prekura drejtpërdrejtë nga kjo situatë.
IKM ju uron që ta kaloni sa më lehtë këtë periudhë emergjente.