Kalo te përmbajtja
Hyr në portal

Historiku

Instituti i Kontabilistëve të Miratuar shënon 25 vjet veprimtari. Nga një grup i vogël kontabilistësh vizionarë që themeluan një shoqatë profesionale në vitin 2000, IKM është zhvilluar në një institucion modern dhe të besueshëm për profesionin e kontabilitetit në Shqipëri — sot anëtar me të drejta të plota i Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (IFAC).

Themelimi — 18 maj 2000

Momenti historik

Më 18 maj 2000, Gjykata e Tiranës regjistroi zyrtarisht Lidhjen Profesionale të Kontabilistëve të Miratuar (LPKM).

Rrugëtimi kishte nisur pak muaj më parë. Më 29 dhjetor 1999 u mbajt mbledhja për krijimin e Lidhjes Profesionale, ku u mblodhën emrat e pjesëmarrësve nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Saranda, Gjirokastra, Lezha dhe qytete të tjera. Akti themeltar u nënshkrua nga 63 themelues.

Faqja e parë e listës së pjesëmarrësve në mbledhjen e 29 dhjetorit 1999 për krijimin e Lidhjes Profesionale
Lista e pjesëmarrësve në mbledhjen e 29 dhjetorit 1999

Në të njëjtën kohë u miratuan statuti dhe strukturat drejtuese, duke përcaktuar misionin e institutit: rregullimin dhe avancimin e profesionit të kontabilitetit, si dhe vendosjen e standardeve të para kombëtare për ushtrimin e tij.

Grup themeluesish të Lidhjes Profesionale të Kontabilistëve të Miratuar, viti 2000
Themeluesit e Lidhjes Profesionale të Kontabilistëve të Miratuar, 2000

Rrugëtimi — nga 2006 në 2025

2006

Nga LPKM te IKM

Si pjesë e reformave të brendshme, LPKM u riorganizua si Instituti i Kontabilistëve të Miratuar, në përputhje me Ligjin nr. 8788, datë 07.05.2001 “Për Organizatat Jofitimprurëse”, i ndryshuar.

2007

Bashkëpunimi rajonal

Anëtarësimi në SEEPAD (South East European Partnership on Accountancy Development).

2009

Kuadri i ri ligjor

Miratimi i Ligjit nr. 10091, datë 05.03.2009 dhe krijimi i Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP). IKM nisi bashkëpunimin e ngushtë me BMP, duke përafruar proceset e kontrollit të cilësisë me kërkesat e reja të mbikëqyrjes.

2009

Provimi i parë kombëtar i certifikimit

Për herë të parë, kandidatët në të gjithë Shqipërinë iu nënshtruan një procesi të standardizuar testimi për fitimin e titullit Kontabilist i Miratuar. Që prej asaj kohe, provimet organizohen çdo vit.

2010

Rritja e hershme

Anëtarësia arriti rreth 500 anëtarë, së bashku me zgjerimin e ofertës së Edukimit të Vijueshëm Profesional.

Simpozium mbi profesionin e kontabilistit, Hotel Tirana, 23 dhjetor 2010
Simpozium mbi profesionin e kontabilistit — Hotel Tirana, 23 dhjetor 2010
2012

Anëtar i asociuar i IFAC

Pranimi si anëtar i asociuar i Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve, që i dha institutit mundësinë të ndërtonte kapacitetet nën udhëzimin e IFAC.

Ceremonia e pranimit të IKM si anëtar i asociuar i IFAC, 2012
Pranimi si anëtar i asociuar i IFAC, 2012
2016

Reforma ligjore

Përshtatja me Ligjin 47/2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 10091, datë 05.03.2009, i ndryshuar” dhe me rregulloret e BMP.

Nëntor 2019

Anëtar me të drejta të plota i IFAC

Pas vlerësimit nga Komiteti i Pajtueshmërisë dhe miratimit nga Bordi i IFAC, Këshilli i IFAC pranoi IKM-në si anëtar me të drejta të plota.

Përfaqësues të IKM në mbledhjen e Këshillit të IFAC, Vankuver, 13-14 nëntor 2019
Këshilli i IFAC, Vankuver, nëntor 2019
2020

Dixhitalizimi

Kalimi i trajnimeve dhe i testimeve në formë online.

2024

Fitore në Gjykatën Kushtetuese

Shfuqizimi i një neni diskriminues në Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, pas çështjes së ngritur nga IKM.

2024–2025

Zgjerimi i ofertës profesionale

Certifikimi Kontabilist Ligjor (Forensic Accounting), Study Tour dhe Diploma IFRS.

2025

Eksporti i shërbimeve

Nisja e projektit për outsourcing.

Avokatia dhe mbrojtja e profesionit

Angazhimi i IKM në avokati u shfaq më qartë në vitin 2024, kur Instituti fitoi një çështje në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë në mbrojtje të të drejtave të anëtarëve të vet.

Çështja lidhej me një nen diskriminues në Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, i cili i vendoste profesionistët e pavarur të kontabilitetit në një pozitë të pafavorshme. Pas përpjekjeve të gjata për ta ndryshuar nëpërmjet dialogut, që nuk dhanë rezultat, IKM iu drejtua Gjykatës Kushtetuese. Me vendimin përfundimtar, Gjykata i dha të drejtë Institutit dhe e shfuqizoi dispozitën.

Seancë gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese, 2024
Gjykata Kushtetuese, 2024

Fitorja nuk ishte vetëm e anëtarëve të IKM, por e të gjithë profesionistëve të pavarur në Shqipëri. Ajo shënoi njëkohësisht edhe evolucionin e Institutit — nga një trup kryesisht edukues në një organizatë profesionale që përdor edhe mjetet ligjore për të mbrojtur anëtarët e vet, dhe i dha IKM-së peshë më të madhe në konsultimet për legjislacionin që prek profesionin.

Përtej kësaj çështjeje, IKM angazhohet rregullisht në avokati: komenton projektligje fiskale, propozon lehtësira tatimore për shërbimet profesionale dhe kërkon thjeshtësimin e barrës së pajtueshmërisë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Instituti ka theksuar gjithashtu rolin e raportimit financiar cilësor në përmirësimin e aksesit të NVM-ve në financim.

IKM sot

IKM grupon Kontabilistët e Miratuar, Shoqëritë e Kontabilitetit dhe kandidatët për Kontabilist të Miratuar që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me Ligjin Nr. 10091, datë 05.03.2009, i ndryshuar, me Ligjin 47/2016 dhe me çdo ligj tjetër që rregullon profesionin.

Në vitin 2025 instituti numëron rreth 675 anëtarë. Shtrirja është kombëtare, me degë dhe seksione në rajonet kryesore të vendit — ndër to Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, Korçë, Shkodër, Berat, Lushnje, Pogradec dhe Sarandë. Mbledhjet e rregullta të degëve dhe zgjedhjet e brendshme sigurojnë përfaqësim nga baza.

Qeverisja është forcuar përmes komiteteve të specializuara. Komiteti i Menaxhimit të Cilësisë mbikëqyr cilësinë e punës së anëtarëve, ndërsa funksionet e investigimit dhe të disiplinës janë ndarë në dy komitete të veçanta, për të garantuar procese më të drejta dhe transparente.

Kandidatë gjatë Provimeve të Aftësive Profesionale
Provimet e Aftësive Profesionale