Kalo te përmbajtja
Hyr në portal

Shoqëritë e Kontabilitetit

Shoqëri kontabiliteti është një person juridik, pavarësisht formës së organizimit, i regjistruar në Regjistrin Publik të Kontabilistëve të Miratuar dhe të Shoqërive të Kontabilitetit, i miratuar nga autoritetet kompetente për të kryer shërbime kontabiliteti dhe që plotëson kriteret e parashikuara në legjislacionin në fuqi për shoqëritë e kontabilitetit.

Kushtet për regjistrim

Shoqëri kontabiliteti janë shoqëritë e regjistruara në organet tatimore dhe të krijuara sipas kërkesave të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të cilat, në zbatim të Rregullores Nr. 9 të BMP, plotësojnë kushtet e mëposhtme:

  • shoqëria është themeluar në përputhje me kërkesat e Ligjit Nr. 9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”;
  • shumica e të drejtave të votës në kapitalin e shoqërisë zotërohet nga shoqëri kontabiliteti ose nga Kontabilistë të Miratuar;
  • të paktën 50 për qind e anëtarëve të organit drejtues ose administrativ të shoqërisë janë KM të njohur nga Komiteti i Regjistrimit dhe Licencimit të IKM dhe të regjistruar në Regjistrin Publik të Kontabilistëve të Miratuar; kur organi drejtues ose administrativ nuk ka më shumë se dy anëtarë, të paktën njëri prej tyre e plotëson këtë kusht;
  • shoqëria angazhon Kontabilistë të Miratuar të regjistruar në Regjistrin Publik të Kontabilistëve të Miratuar;
  • shoqëria gëzon reputacion të mirë.

Aplikimi dhe dokumentacioni

Aplikimi bëhet vetëm online

Aplikimi për anëtarësim bëhet vetëm nëpërmjet formularit online të regjistrimit. Kërkesa për anëtarësim plotësohet në vetë formularin nga administratori i shoqërisë ose nga ortaku Kontabilist i Miratuar, dhe aty ngarkohen edhe dokumentet e mëposhtme.

  1. kopje e NIPT-it (NUIS);
  2. kopje e ekstraktit historik;
  3. statuti dhe akti i themelimit;
  4. kopje e Dëshmisë Profesionale si Kontabilist i Miratuar e ortakut ose e ortakëve dhe e administratorit;
  5. vërtetim nga organet e drejtësisë se nuk kanë qenë të dënuar për vepra të lidhura me veprimtarinë në fushën e profesionit, për ortakun ose ortakët, për administratorin (kur është i ndryshëm nga ortaku) dhe për personin juridik: Dëshmi Penaliteti dhe Vërtetim i Gjendjes Gjyqësore për çështjet penale, të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit, jo më të vjetra se tre muaj;
  6. kopje e Diplomës së Nivelit të Dytë ose e ekuivalentes së saj (DIND) e ortakut ose e ortakëve dhe e administratorit (kur është i ndryshëm nga ortaku);
  7. kopje e dokumentit të identifikimit (pasaportë ose letërnjoftim) e ortakut ose e ortakëve dhe e administratorit;
  8. lista e Kontabilistëve të Miratuar të shoqërisë;
  9. rregullorja për parandalimin e pastrimit të parave, kur shoqëria ka tre ose më shumë të punësuar.

Formulari i regjistrimit

Pas dorëzimit të kërkesës

Sekretaria e IKM e regjistron kërkesën dhe ia paraqet Komitetit të Regjistrimit dhe Licencimit brenda dhjetë ditëve nga marrja e dokumentacionit. Komiteti mblidhet të paktën një herë në muaj, brenda datës 5 të muajit, kur ka kërkesa të reja, dhe e njofton kërkuesin për vendimin nëpërmjet sekretarisë brenda dhjetë ditëve pune. Kur dokumentacioni është i paplotë, kërkuesi njoftohet për mangësitë dhe ka dhjetë ditë kohë për t’i plotësuar, pa qenë nevoja për një kërkesë të re. E drejta e anëtarësimit, pas miratimit, fillon nga data e paraqitjes së kërkesës.

Pas miratimit, anëtari i ri paguan kuotën e vitit në përpjesëtim me periudhën e mbetur, pajiset me licencën e kategorisë përkatëse dhe me kartën e anëtarësisë, merr kredencialet e portalit dhe përfshihet në Regjistrin Publik me përditësimin e radhës, i cili bëhet të paktën një herë në muaj. → Licenca dhe karta e anëtarësisë · Kuota dhe pagesat

Për pyetje rreth regjistrimit, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.