Misioni dhe Vizioni
Instituti i Kontabilistëve të Miratuar grupon të gjithë Kontabilistët e Miratuar dhe Shoqëritë e Kontabilitetit, të regjistruar në përputhje me legjislacionin në fuqi, për kryerjen e shërbimeve të përcaktuara në ligjet dhe aktet rregullatore të profesionit të Kontabilistit të Miratuar, si dhe të shërbimeve të tjera që nuk bien në kundërshtim me ligjin.
Misioni i IKM është t’i shërbejë interesit publik nëpërmjet:
Standardet ndërkombëtare
Kontributit në zhvillimin, adoptimin dhe zbatimin e standardeve, udhëzimeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
Zhvillimi i profesionit
Kontributit në zhvillimin e profesionit, të praktikave kontabël dhe të shoqërive të kontabilitetit, duke kërkuar garancitë e duhura për kompetencën, pavarësinë dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara.
Vlerat e profesionit
Promovimit të vlerave të profesionit dhe të Kontabilistëve të Miratuar.
Interesi publik
Pjesëmarrjes në diskutimet për interesin publik, ku vlerat dhe përvoja e profesionit të Kontabilistit të Miratuar janë të nevojshme.
Vizioni
Njohja e profesionit të Kontabilistit të Miratuar si një element i pazëvendësueshëm në zhvillimin e njësive ekonomike, të tregjeve financiare dhe të ekonomive të qëndrueshme, duke synuar gjithnjë përmirësimin e raportimit financiar, rritjen e cilësisë, të transparencës dhe të besimit të publikut ndaj profesionit.
Vlerat
Integriteti
Profesionalizmi
Pavarësia
Transparenca
Objektivat
- Të sigurojë organizimin dhe drejtimin e profesionistëve që posedojnë dëshminë “Kontabilist i Miratuar”, si edhe të kandidatëve që dëshirojnë të aplikojnë për t’u pajisur me këtë dëshmi.
- Të mbrojë interesat profesionale të anëtarëve të saj, duke kërkuar garancitë e duhura për kompetencat, pavarësinë dhe bindjen profesionale.
- Të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e anëtarëve të saj ndaj palëve të treta për çështje që kanë të bëjnë me profesionin.
- Të hartojë programet e formimit profesional në fushën e raportimit financiar, të Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit, të Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar dhe të fushave të tjera që mund të kërkohen nga ligji apo nga BMP për kandidatët që aderojnë për t’u bërë Kontabilist i Miratuar; të organizojë dhe të monitorojë procesin e përgatitjes dhe të formimit profesional të kandidatëve dhe të provimit apo të testimit të njohurive të tyre për hyrjen në profesion, si dhe procesin e certifikimit të kandidatëve.
- Të hartojë programet, të organizojë dhe të monitorojë procesin e trajnimit dhe të certifikimit të kandidatëve dhe të anëtarëve të saj në fusha të lidhura.
- Të sigurojë edukimin e vijueshëm profesional të anëtarëve të saj në fushën e profesionit, në përputhje me kërkesat e Ligjit Nr. 10091, datë 05.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”, i ndryshuar, si dhe me Standardet Ndërkombëtare të Edukimit të IFAC; të kryejë monitorimin në rastet kur këto aktivitete të edukimit të vijueshëm profesional organizohen nga palë të treta të njohura nga IKM.
- Të organizojë sistemin e kontrollit të cilësisë për Kontabilistët e Miratuar dhe Shoqëritë e Kontabilitetit.
- Të organizojë sistemin e investigimit dhe të disiplinës dhe të kryejë investigimet e nevojshme për rastet e shkeljes së ligjeve, rregulloreve, standardeve dhe etikës profesionale, si dhe të udhëheqë sistemin e investigimit dhe të disiplinës për aspekte të tjera brenda objektit të vet.
- Të bashkërendojë punën me Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit, me Bordin e Mbikëqyrjes Publike, me Komisionin e Provimeve të Aftësive Profesionale, me Ministrinë e Financave, me universitetet me të cilat IKM ka marrëveshje bashkëpunimi, si dhe me organizma të tjerë të interesuar në fushën e kontabilitetit brenda dhe jashtë Shqipërisë:
- për probleme të organizimit të kontabilitetit dhe të dokumentacionit kontabël;
- për çështje të profesionit të parashikuara në ligj dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij;
- për studime dhe punime për përmirësimin e dispozitave ligjore të kontabilitetit, të standardeve të kontabilitetit, të standardeve profesionale dhe të rregullimeve ligjore për profesionin;
- për organizimin e përgatitjes dhe të provimeve fillestare të hyrjes në profesion dhe të Provimeve të Aftësive Profesionale, si dhe për pajisjen me Dëshminë “Kontabilist i Miratuar”;
- për organizimin e trajnimeve dhe certifikimin e kandidatëve dhe të anëtarëve me dëshmi të ngjashme.
- Të organizojë dhe të krijojë lidhje dhe bashkëpunim me institucione dhe organizma homologë brenda dhe jashtë vendit.
- Të anëtarësohet në organizata kombëtare dhe ndërkombëtare të profesionit dhe të udhëheqë veprimtarinë për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kjo anëtarësi.
- Të mbajë dhe të përditësojë Regjistrin Publik të Kontabilistëve të Miratuar dhe të Shoqërive të Kontabilitetit anëtarë të IKM.
- Të sigurojë që veprimtaria e IKM të jetë në përputhje me kërkesat e standardeve profesionale të IFAC dhe që shërbimet e ofruara nga anëtarët e IKM të jenë në përputhje me Kodin e Etikës së IFAC dhe me aktet rregullatore në fuqi.
- Të sigurojë mbrojtjen e profesionit, të nderit dhe të pavarësisë së anëtarëve të saj.