EN
AL

Konferenca “Accounting Outsourcing, Awareness Conference” – Dhjetor 2025

Më 11 dhjetor 2025, në Hotel Xheko Imperial, u zhvillua konferenca “Accounting Outsourcing, Awareness Conference”, e organizuar nga Grant Thornton në kuadër të përmbylljes së projektit “Strengthening Quality of Auditing and Reporting Project – Albania (SQARP)”. Projekti është financuar nga Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO), me mbështetjen e Bankës Botërore, dhe është fokusuar në zhvillimin e shërbimeve të kontabilitetit, ndërgjegjësimin publik dhe kontabilitetin ligjor për profesionin.

Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) mori pjesë në këtë aktivitet si përfitues i drejtpërdrejtë i projektit dhe u përfaqësua në panel nga Presidenti, Prof. Dr. Sotiraq Dhamo. Gjatë konferencës u trajtuan tema kyçe mbi eksportin e shërbimeve të kontabilitetit, Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) dhe nevoja për rritjen e kapaciteteve profesionale për të qenë konkurrues në tregjet ndërkombëtare.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore, z. Andrei Busuioc, vuri në dukje mbështetjen e Bankës Botërore për zhvillimin e profesionit në Shqipëri dhe në rajon, përmes iniciativave për rritjen e kapaciteteve profesionale, përmirësimin e raportimit financiar dhe forcimin e qeverisjes në ndërmarrjet publike. Ai theksoi se këto inicitiva ndihmojnë në modernizimin e praktikave financiare dhe në afrimin me standardet ndërkombëtare.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, znj. Erisa Rodhani, ritheksoi angazhimin e institucionit për të mbështetur dhe zhvilluar më tej iniciativa që rrisin profesionalizmin, forcojnë përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare dhe përmirësojnë raportimin financiar në vend. Ajo nënvizoi rëndësinë e transparencës dhe të cilësisë në profesionet e kontabilitetit dhe auditimit.

Presidenti i IKM, Prof. Dr. Sotiraq Dhamo, bëri thirrje për shfrytëzim sa më efektiv të potencialit njerëzor të ndërtuar brenda Institutit dhe komunitetit të Kontabilistëve të Miratuar. Ai theksoi se profesioni i kontabilitetit në Shqipëri ka potencial për të eksportuar ekspertizë dhe shërbime, dhe se investimi në aftësim dhe profesionalizëm mbetet kusht për rritjen e konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare.

Përfaqësuesi i Confindustria Albania për sektorin ICT/BPO, z. Stavri Pici, vlerësoi potencialin e Shqipërisë për t’u pozicionuar si qendër konkurruese e eksportit të shërbime, duke kombinuar kapacitetet teknologjike me shërbimet profesionale të kontabilitetit. Ai theksoi rëndësinë e inovacionit, trajnimit dhe partneriteteve strategjike me biznesin.

Përfaqësuesi i GSL Enterprise Solution, z. Blerti Lekbello, theksoi se eksporti i shërbimeve të kontabilitetit po krijon mundësi konkrete për ndërveprim me tregjet ndërkombëtare, duke sjellë përvojë dhe praktika bashkëkohore në këtë sektor.

Përfaqësuesi i AmCham Albania, z. Neritan Mullaj, vlerësoi se bizneset shqiptare kanë kapacitete për të konkurruar jashtë vendit, duke theksuar se kjo kërkon investim të vazhdueshëm në standarde profesionale, qasje moderne menaxhimi dhe aftësi që mbështesin eksportin e shërbimeve financiare.

Përfaqësuesi i KOSI Corporation, z. Sean Sweeney, theksoi se modeli i eksportit të shërbimeve në kontabilitet dhe auditim është i konsoliduar në praktikën ndërkombëtare dhe se Shqipëria mund të përfitojë drejtpërdrejt nga adoptimi i praktikave më të mira, forcimi i institucioneve dhe rritja e kapaciteteve vendore.

Për IKM, pjesëmarrja në këtë konferencë përforcon angazhimin e institutit për Edukimin e Vijueshëm Profesional dhe për rritjen e standardeve të punës së Kontabilistëve të Miratuar. Ky angazhim lidhet drejtpërdrejt me përgatitjen e profesionistëve për kërkesat e tregut, përfshirë shërbimet e outsourcing, dhe me ndërtimin e kapaciteteve që mbështesin ofrimin e shërbimeve me cilësi dhe integritet. IKM mbetet i fokusuar në promovimin e rolit të Kontabilistëve të Miratuar në përmirësimin e raportimit financiar, rritjen e transparencës dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik e financiar të vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *