EN
AL

Njoftim për shfuqizimin e tatimit për profesionet e lira!

Në kuadër të përkushtimit të saj të vazhdueshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të anëtarëve të saj, Instituti i Kontabilisteve te Miratuar (IKM) që prej hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat” ka ndërmarrë hapa të vendosur për të kundërshtuar këtë ligj ne disa nene, të cilat preknin zhvillimin e aktivitet të biznesit të profesioneve të lira në përputhje me të drejtat kushtetuese. Ky ligj i kontestuar diskriminonte ndërmjet të vetëpunësuarve që ofronin shërbime profesionale dhe atyre të punësuar si dhe prekte sigurinë juridike në zhvillimin e aktivitetit të profesioneve të lira.

IKM, në bashkëpunim të ngushtë me IEKA, ka kontraktuar shërbimet e studios ligjore KALO & ASSOCIATES Law Firm, dhe ka punuar me përkushtim dhe pa pushim për të çuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese. Pas shumë përpjekjeve dhe seancave dëgjimore, Gjykata Kushtetuese miratoi kërkesën tonë për shfuqizimin e Nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia “ii” dhe “iii” duke dëshmuar edhe një herë te drejtën dhe vendosmërinë tonë për të mbrojtur interesat e anëtarëve tanë.

Një falënderim i veçantë dhe mirënjohje shkon për ekipin ligjor që përfaqësoi IKM dhe IEKA ne këtë çështje, avokatët tanë të jashtëzakonshëm, Aigest Milo dhe Armando Toslluku të studios ligjore Kallo & Associates. Profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre ishin çelësi i suksesit tonë në këtë sfidë të rëndësishme ligjore. Pa punën e tyre të palodhur dhe angazhimin e tyre profesional, ky rezultat nuk do të ishte arritur.

Ne në IKM jemi të përkushtuar të mbrojmë interesat dhe të drejtat e anëtarëve tanë në përputhje me të drejtat ligjore dhe kushtetuese, dhe ky është një hap tjetër në drejtimin e duhur në mbështetje të zhvillimit të profesionit të Kontabilistit të Miratuar. Duke qënë të bashkuar dhe të organizuar në një organizatë profesionale si IKM, anëtare e IFAC, do të mund të jemi faktor i rëndësishëm në të mirë të profesionit dhe të zhvillimit të vendit tonë. Faleminderit të gjithëve që kontribuuan në këtë arritje të rëndësishme!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *