Kalo te përmbajtja
Hyr në portal

Kontabilist i Miratuar – Person Fizik

Në Regjistrin Themeltar dhe në Regjistrin Publik të Institutit të Kontabilistëve të Miratuar regjistrohen të gjithë personat që plotësojnë kërkesat e përcaktuara në pikën 9 të nenit 2 të Ligjit Nr. 10091, datë 05.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”, i ndryshuar, dhe të Rregullores Nr. 9, datë 27.02.2019 të BMP.

Për t’u regjistruar dhe për t’u publikuar në Regjistrin Themeltar dhe në Regjistrin Publik të IKM, çdo Kontabilist i Miratuar fillimisht anëtarësohet pranë Institutit dhe paraqet dokumentet që shoqërojnë këtë anëtarësim.

Kërkesa për anëtarësim në IKM paraqitet nga të gjithë profesionistët që zotërojnë Dëshminë “Kontabilist i Miratuar”, të lëshuar nga një organ i caktuar me ligj, nga IKM ose nga organizma ekuivalentë të njohur, si dhe nga shoqëritë e kontabilitetit.

Kontabilistët e Miratuar persona fizikë, profesionistë të lirë të regjistruar në QKB

Person fizik është subjekti sipas kuptimit të Kodit Civil dhe të Ligjit Nr. 9901, datë 14.04.2008 “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”, i ndryshuar, i cili ushtron një profesion të pavarur, në këtë rast atë të Kontabilistit të Miratuar.

Anëtarë KM Aktivë të vetëpunësuar janë anëtarët që:

  • kanë certifikatë si Kontabilist i Miratuar ose vërtetimin e dhënies së provimeve për KM sipas ligjit;
  • ushtrojnë veprimtari të pavarur dhe janë regjistruar në QKB dhe në organet tatimore si tregtarë të regjistruar.

Aplikimi dhe dokumentacioni

Aplikimi bëhet vetëm online

Aplikimi për anëtarësim bëhet vetëm nëpërmjet formularit online të regjistrimit. Kërkesa për anëtarësim plotësohet në vetë formularin, ku ngarkohen edhe dokumentet e mëposhtme.

  1. Curriculum Vitae (CV) në gjuhën shqipe;
  2. kopje e noterizuar e Dëshmisë Profesionale si Kontabilist i Miratuar, ose kopje e noterizuar e vërtetimit të provimeve ose e dokumentit përkatës të lëshuar nga Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale;
  3. kopje e NUIS;
  4. ekstrakti historik;
  5. lista e Kontabilistëve të Miratuar të punësuar, nëse ka të punësuar;
  6. deklarata personale për dy ose më shumë punësime, shoqëruar me vërtetimin përkatës nga sigurimet shoqërore;
  7. vërtetim nga organet e drejtësisë se nuk ka qenë i dënuar për vepra të lidhura me veprimtarinë në fushën e profesionit: Dëshmi Penaliteti dhe Vërtetim i Gjendjes Gjyqësore për çështjet penale, të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit, jo më të vjetra se tre muaj;
  8. kopje e dokumentit të identifikimit (pasaportë ose letërnjoftim);
  9. kopje e Diplomës së Nivelit të Dytë ose e ekuivalentes së saj (DIND);
  10. një fotografi, në formatin 4 × 5 cm.

Formulari i regjistrimit

Pas dorëzimit të kërkesës

Sekretaria e IKM e regjistron kërkesën dhe ia paraqet Komitetit të Regjistrimit dhe Licencimit brenda dhjetë ditëve nga marrja e dokumentacionit. Komiteti mblidhet të paktën një herë në muaj, brenda datës 5 të muajit, kur ka kërkesa të reja, dhe e njofton kërkuesin për vendimin nëpërmjet sekretarisë brenda dhjetë ditëve pune. Kur dokumentacioni është i paplotë, kërkuesi njoftohet për mangësitë dhe ka dhjetë ditë kohë për t’i plotësuar, pa qenë nevoja për një kërkesë të re. E drejta e anëtarësimit, pas miratimit, fillon nga data e paraqitjes së kërkesës.

Pas miratimit, anëtari i ri paguan kuotën e vitit në përpjesëtim me periudhën e mbetur, pajiset me licencën e kategorisë përkatëse dhe me kartën e anëtarësisë, merr kredencialet e portalit dhe përfshihet në Regjistrin Publik me përditësimin e radhës, i cili bëhet të paktën një herë në muaj. → Licenca dhe karta e anëtarësisë · Kuota dhe pagesat

Për pyetje rreth regjistrimit, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.