Kalo te përmbajtja
Hyr në portal

Pjesëmarrja e IKM-së në Kongresin Botëror të Kontabilistëve 2026 në Seul

Kongresi Botëror i Kontabilistëve 2026, Seul
Kongresi Botëror i Kontabilistëve 2026, Seul

Përfaqësues të Institutit të Kontabilistëve të Miratuar (IKM), të kryesuar nga Kryetari i Këshillit të Drejtimit, Prof. Dr. Sotiraq Dhamo, morën pjesë në Kongresin Botëror të Kontabilistëve (World Congress of Accountants – WCOA 2026), që u zhvillua më 17–19 nëntor 2026 në Seul, Kore e Jugut.

Kongresi është veprimtaria kryesore e Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (IFAC) për profesionin kontabël në nivel botëror. Këtë vit u organizua nga IFAC së bashku me Institutin Korean të Kontabilistëve Publikë të Certifikuar (KICPA), nën moton «Together for a Connected Tomorrow», dhe mblodhi mbi 800 pjesëmarrës nga 120 juridiksione. Ndër ta kishte drejtues të organizatave profesionale, hartues standardesh, rregullatorë dhe përfaqësues të firmave dhe të komunitetit financiar. IKM është anëtar me të drejta të plota i IFAC që prej vitit 2019 dhe përfaqëson në Federatë kontabilistët e miratuar të Shqipërisë.

Tema kryesore e kongresit ishte besimi i publikut dhe roli i profesionit në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, si dhe në rritjen e transparencës dhe të llogaridhënies. Programi trajtoi ndikimin e inteligjencës artificiale në punën e kontabilistit, rolin e organizatave profesionale në transformimin digjital dhe përgatitjen e brezit të ri të kontabilistëve. Sesione të tjera iu kushtuan menaxhimit të financave publike, standardeve të qëndrueshmërisë, cilësisë së auditimit dhe reformave që Korea ka ndërmarrë në këtë fushë, si dhe rolit të grave në drejtimin e profesionit.

Përpara hapjes së kongresit, në Seul u zhvillua mbledhja e Këshillit të IFAC, ku znj. Taryn Rulton u zgjodh presidente e Federatës për një mandat dyvjeçar, deri në nëntor 2028. Pas kongresit, Bordi i IFAC zhvilloi mbledhjen e parë nën drejtimin e saj dhe miratoi, ndër të tjera, udhëzimet kryesore të një programi të ri: duke filluar nga viti 2027, IFAC do të ndjekë më nga afër zbatimin e Detyrimeve të Anëtarësisë (SMO) nga organizatat anëtare, përfshirë IKM-në.

Kongresi Botëror i Kontabilistëve 2026, Seul
Kongresi Botëror i Kontabilistëve 2026, Seul

Pjesëmarrja në kongres u dha përfaqësuesve të IKM-së mundësinë të shkëmbenin përvoja me kolegë nga vende të tjera dhe të njiheshin nga afër me mënyrën se si organizatat homologe po i ndihmojnë anëtarët e tyre të zhvillojnë aftësitë që kërkojnë ndryshimet në teknologji dhe në praktikën kontabël. IKM synon t’i pasqyrojë këto përvoja në programet e Edukimit të Vijueshëm Profesional dhe në shërbimet për anëtarët.

Pas këtij aktiviteti, kongresi do të zhvillohet çdo dy vjet. WCOA 2028 do të mbahet në Cape Town, Afrikë e Jugut, i bashkorganizuar nga IFAC dhe Instituti i Kontabilistëve të Autorizuar të Afrikës së Jugut (SAICA), dhe do të jetë hera e parë që kongresi zhvillohet në këtë kontinent.

Kongresi Botëror i Kontabilistëve 2026, Seul
Kongresi Botëror i Kontabilistëve 2026, Seul
Kongresi Botëror i Kontabilistëve 2026, Seul
Kongresi Botëror i Kontabilistëve 2026, Seul
Kongresi Botëror i Kontabilistëve 2026, Seul
Kongresi Botëror i Kontabilistëve 2026, Seul
Kongresi Botëror i Kontabilistëve 2026, Seul