Kalo te përmbajtja
Hyr në portal

Edukimi i Vijueshëm Profesional

Për të garantuar cilësinë e shërbimeve që ofrojnë, të gjithë Kontabilistët e Miratuar, aktivë dhe jo-aktivë, duhet të demonstrojnë në çdo rast aftësi profesionale, kompetencë dhe qëndrime e vlera etike të larta. Për këtë qëllim, Kontabilistët e Miratuar duhet të plotësojnë detyrimin e Edukimit të Vijueshëm Profesional në përputhje me programet e shpallura nga Këshilli i Drejtimit, nëpërmjet pjesëmarrjes në trajnimet e Edukimit të Vijueshëm Profesional.

Detyrimi vjetor

Të gjithë anëtarët realizojnë të paktën 40 orë Edukim të Vijueshëm Profesional në vit, për të ruajtur aftësitë e tyre profesionale. Prej tyre, të paktën 20 orë janë Edukim i Vijueshëm Profesional i strukturuar, i organizuar drejtpërdrejt nga IKM, ndërsa deri në 20 orë mund të jenë të pastrukturuara.

IKM ofron mundësinë që të 40 orët e Edukimit të Vijueshëm Profesional të realizohen pranë saj. Çdo program ose kurs i pastrukturuar miratohet paraprakisht nga IKM, për të shmangur paqartësitë për anëtarët.

Rregullat e plota, përfshirë llogaritjen e orëve brenda ciklit trevjeçar dhe përjashtimet, përcaktohen në Strategjinë e vlerësimit të Edukimit të Vijueshëm.

Strategjia e vlerësimit të Edukimit të Vijueshëm Kërkesat, llogaritja e orëve dhe përjashtimet
PDF

Trajnimet e Edukimit të Vijueshëm Profesional

Programi i Edukimit të Vijueshëm Profesional

Programi i Edukimit të Vijueshëm Profesional është hartuar për të mbështetur, fuqizuar dhe promovuar zhvillimin e vazhdueshëm profesional të Kontabilistëve të Miratuar. Ai ka dy objektiva kryesore:

  • të nxisë Kontabilistët e Miratuar të ndjekin aktivitetet e Edukimit të Vijueshëm Profesional sipas nevojave të tyre individuale, në funksion të praktikave më të mira profesionale dhe të cilësisë më të lartë të shërbimit;
  • të dokumentojë dhe të regjistrojë orët e përfituara nga aktivitetet e Edukimit të Vijueshëm Profesional.

Parimet e Edukimit të Vijueshëm Profesional

Edukimi i Vijueshëm Profesional mbështetet në rolin e Kontabilistit të Miratuar për të zgjedhur dhe për të qenë aktiv në procesin e zhvillimit të tij profesional. Ai përfshin njohuritë dhe rritjen profesionale që vijnë pas Edukimit Fillestar Profesional, të cilat zhvillojnë dhe ruajnë aftësitë profesionale, në mënyrë që Kontabilistët e Miratuar të vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin me kompetencë. Edukimi i Vijueshëm Profesional siguron rritjen e vazhdueshme të aftësive teknike dhe profesionale, të vlerave profesionale, të parimeve etike dhe të njohurive të fituara gjatë Edukimit Fillestar, të përshtatura për veprimtaritë profesionale dhe përgjegjësitë e Kontabilistit të Miratuar.

Sistemi i Edukimit të Vijueshëm Profesional synon të nxisë dhe të ndihmojë Kontabilistët e Miratuar në përmbushjen e nevojave dhe të kërkesave për edukim, sipas parimeve të mëposhtme:

  1. Kontabilisti i Miratuar nxitet ta planifikojë vetë pjesëmarrjen në aktivitetet e Edukimit të Vijueshëm Profesional, bazuar në qëllimin e praktikës së tij profesionale, në nevojat e identifikuara dhe në kompetencat e dëshiruara. Është e rëndësishme që ai t’i kushtojë aq kohë sa duhet ruajtjes së nivelit të ekspertizës në punën e tij të përditshme.
  2. Kontabilisti i Miratuar zgjedh aktivitetet që u përgjigjen nevojave të perceptuara prej tij, si dhe atyre të identifikuara nga vlerësime të tjera.
  3. Aktivitetet e Edukimit të Vijueshëm Profesional lidhen me specialitetin, rolin profesional dhe përgjegjësitë që ka Kontabilisti i Miratuar në pozicionin aktual të punës.
  4. Kontabilisti i Miratuar angazhohet të ruajë profesionalizmin gjatë gjithë kohës së ushtrimit të profesionit dhe në kujdesin që ofron, nëpërmjet rritjes së vazhdueshme profesionale.
  5. IKM dhe institucionet përkatëse krijojnë mundësitë dhe kushtet e përshtatshme që Kontabilistët e Miratuar të ndjekin aktivitetet e Edukimit të Vijueshëm Profesional.

Baza ligjore dhe rregullorja

Kualifikimi i vijueshëm profesional i Kontabilistëve të Miratuar rregullohet nga nenet 25 dhe 52 të Ligjit Nr. 10091, datë 05.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”, i ndryshuar, dhe nga rregullorja e IKM për Edukimin dhe Kualifikimin Profesional.

Dispozitat e ligjit për kualifikimin e vijueshëm
  1. Dispozitat e këtij ligji, të parashikuara për kualifikimin e vijueshëm profesional të audituesve ligjorë, duhet të zbatohen nga organizmat profesionalë edhe për kontabilistët e miratuar, për aq sa i takon fushës për të cilën ata janë testuar në çastin e hyrjes në profesion.
  2. Organizatat profesionale të kontabilistëve të miratuar hartojnë rregullat e brendshme për kualifikimin e vijueshëm profesional, si dhe rregullat për regjistrimin e çregjistrimin e anëtarëve. Kontabilistët e Miratuar i nënshtrohen kualifikimit të vijueshëm profesional, i cili është i detyrueshëm dhe zgjat, të paktën, 40 orë. Periodiciteti i kryerjes së kualifikimit të vijueshëm profesional vendoset nga organizata profesionale. Edukimi i vijueshëm profesional është i detyrueshëm të kryhet edhe nga Kontabilistët që nuk e ushtrojnë profesionin.
  3. Përveç organizimit nga organizata profesionale e Kontabilistëve të Miratuar, kurset për kualifikimin e vijueshëm profesional mund të organizohen edhe nga:
    • institucione të arsimit të lartë;
    • qendra të tjera të kualifikimit profesional, të cilat kanë mjediset dhe personelin e duhur për garantimin e një kualifikimi cilësor, në përputhje me programet e miratuara për kualifikimin e vazhdueshëm profesional;
    • shoqëri kontabiliteti, të cilat kanë kapacitete për të organizuar kualifikimin për të punësuarit e vet.
  4. Institucionet e arsimit të lartë, qendrat e kualifikimit profesional dhe punëdhënësit e përmendur në shkronjën “c” të pikës 2 të këtij neni, që dëshirojnë të organizojnë kurset e kualifikimit të vijueshëm profesional, vënë në dijeni Bordin e Mbikëqyrjes Publike për këtë fakt, përpara fillimit të kësaj veprimtarie, në përputhje me vendimin e marrë në organet e veta vendimmarrëse.
  5. Në përfundim të çdo kursi, Kontabilisti i Miratuar pajiset me vërtetimin e plotësimit të detyrimit, si dhe të vlerësimit të marrë. Vërtetimi depozitohet pranë organizatës profesionale të Kontabilistëve të Miratuar.
  6. Këshilli i Drejtimit i organizatës profesionale të Kontabilistëve të Miratuar miraton mënyrën e monitorimit dhe të vlerësimit të procesit të kualifikimit të vijueshëm të anëtarëve të tij. Si pjesë e procesit të vlerësimit, Këshilli i Drejtimit mund të miratojë organizimin e testimit të njohurive të marra gjatë kualifikimeve të vijueshme, i cili duhet të bëhet jo më shpesh se një herë në tre vjet dhe jo më rrallë se një herë në pesë vjet.
  7. Në përfundim të një procedure të nisur monitorimi, organizata profesionale e Kontabilistëve të Miratuar publikon rezultatet e monitorimit dhe ia dërgon ato Bordit të Mbikëqyrjes Publike. Bordi i shqyrton dhe merr vendim për masat që duhen ndërmarrë për rregullimin e situatës. Bordi, gjithashtu, merr vendim për pezullimin e ushtrimit të profesionit nga Kontabilistët e Miratuar që nuk kanë arritur të marrin provimet e lidhura me kualifikimin e vijueshëm, ose për çregjistrimin e Kontabilistëve të Miratuar që kanë depozituar vërtetime të pavërteta për kryerjen e kurseve të kualifikimit të vazhdueshëm. Kopje të vendimeve i dërgohen Komitetit të Regjistrimit, i cili reflekton ndryshimet në regjistër.
  8. Organizata profesionale e Kontabilistëve të Miratuar propozon për miratim pranë Bordit të Mbikëqyrjes Publike rregullat e kualifikimit të vijueshëm, të shoqëruara me sanksione, të cilat nisin me gjobë dhe përfundojnë me heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit deri në tre vjet, për mosplotësimin e kërkesës së edukimit të vazhdueshëm.
  9. Regjistrimi i Kontabilistëve të Miratuar për të ushtruar profesionin është i përvitshëm. Mospërmbushja e detyrimeve të kualifikimit të vijueshëm është kusht për mosregjistrimin e Kontabilistëve të Miratuar në Regjistrin Publik për të gjithë vitin pasardhës.
Për Edukimin dhe Kualifikimin Profesional Rregullore Nr. 06 · 07.09.2018 · e ndryshuar
PDF

Për pyetje rreth Edukimit të Vijueshëm Profesional, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.