Kalo te përmbajtja
Hyr në portal

Kandidatët

Rruga drejt titullit “Kontabilist i Miratuar”

Titulli profesional “Kontabilist i Miratuar” fitohet sipas procedurës së përcaktuar nga Ligji Nr. 10091, datë 05.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”, i ndryshuar, dhe nga aktet e Bordit të Mbikëqyrjes Publike: plotësimi i kritereve të arsimit dhe të përvojës, anëtarësimi si kandidat në një organizatë profesionale të njohur nga Bordi, ndjekja e kursit të kualifikimit në standardet e kontabilitetit dhe të raportimit financiar dhe kalimi me sukses i provimeve të aftësive profesionale. IKM i shoqëron kandidatët në hapat që i takojnë Institutit dhe i orienton për hapat që administrohen nga Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale.

Në pak fjalë

Diplomë “Master” në shkencat ekonomike, të paktën tre vjet përvojë profesionale, kursi i Hyrjes në Profesion pranë IKM dhe tre provime të aftësive profesionale pranë Komisionit të Provimeve të Aftësive Profesionale (KPAP).

BMP, KPAP dhe IKM

Tri institucione marrin pjesë në procedurën e marrjes së titullit, secili me rolin e vet:

BMP

Bordi i Mbikëqyrjes Publike është autoriteti shtetëror i mbikëqyrjes publike të profesionit. Ai njeh organizatat profesionale, miraton rregullat për hyrjen në profesion, lëshon certifikatën e titullit pas përfundimit të provimeve dhe shqyrton ankimet e kandidatëve. Vendimet e BMP janë përfundimtare.

KPAP

Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale ngrihet pranë BMP dhe administron provimet: shpall sezonin, miraton listën e dokumenteve, pranon kërkesat nëpërmjet sekretarisë së vet teknike, zhvillon provimet, shpall rezultatet dhe lëshon dëshminë për çdo provim të kaluar. Interpretimi i kritereve për regjistrimin në provime është atribut i KPAP dhe i BMP.

IKM

Instituti i Kontabilistëve të Miratuar është organizata profesionale e njohur nga BMP. Ai anëtarëson kandidatët, organizon Trajnimin e Hyrjes në Profesion dhe kurset parapërgatitore, u përcjell kandidatëve njoftimet e KPAP dhe, pas fitimit të titullit, i regjistron si anëtarë dhe i përfshin në Regjistrin Publik. IKM nuk merr pjesë në regjistrimin për provime dhe në zhvillimin e tyre.

Për pyetje që lidhen me kriteret e provimeve, kandidatët mund t’i drejtohen KPAP dhe BMP në info@bmp.al ose kpap@bmp.al. → bmp.al

Hyrja në Profesion deri në marrjen e titullit Kontabilist i Miratuar

Kriteret

Sipas nenit 49 të Ligjit Nr. 10091, titulli “Kontabilist i Miratuar” i jepet personit fizik që:

a) ka përfunduar studimet universitare të ciklit të dytë, në nivelin “Master”, ose zotëron diplomë universitare të ekuivalentuar me këtë nivel, në një nga degët e studimit në shkencat ekonomike, si kontabilitet, financë, administrim biznesi, ekonomik ose të barasvlershme me to;

b) ka, të paktën, tre vjet përvojë profesionale në fushën e kontabilitetit, të financës, të kontrollit financiar dhe në fusha të ngjashme;

c) ka kryer kursin e kualifikimit në fushën e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të kontabilitetit dhe të raportimit financiar, të organizuar ose të monitoruar nga organizata profesionale e kontabilistëve të miratuar në të cilën dëshiron të anëtarësohet;

ç) ka kaluar me sukses provimet e aftësive profesionale.

Kandidati ka gjithashtu zotësi të plotë për të vepruar dhe nuk është dënuar penalisht ose me dënim plotësues të një natyre që vë në dyshim ndershmërinë e tij.

Kush mund të bëhet Kontabilist i Miratuar

Anëtarësimi si kandidat

Kursi i kualifikimit ndiqet pranë organizatës profesionale ku kandidati synon të anëtarësohet. IKM pranon si kandidatë personat që plotësojnë kriteret e arsimit, të përvojës dhe të gjendjes gjyqësore, në mënyrë që certifikatat e trajnimit t’u shërbejnë për regjistrimin në provime. Kërkesa plotësohet online dhe shqyrtohet nga Komiteti i Regjistrimit dhe Licencimit.

Anëtarësimi si kandidat

Trajnimi i Hyrjes në Profesion

Dy module — Standardet Kombëtare të Kontabilitetit (SKK) dhe Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) — që përmbyllen me një testim dhe me certifikatat përkatëse. Certifikatat janë pjesë e dokumentacionit për regjistrimin në provime.

Trajnimi i Hyrjes në Profesion

Kurset parapërgatitore

Në prag të çdo provimi, IKM organizon kurse të shkurtra, të përqendruara në programin e provimit dhe në tezat e sezoneve të kaluara.

Kurset parapërgatitore për provimet

Provimet e Aftësive Profesionale

Tre provime, të organizuara nga KPAP pranë BMP, në një sezon vjetor: raportimi financiar, legjislacioni civil, penal, tregtar dhe i punës, si dhe legjislacioni tatimor. Regjistrimi bëhet pranë sekretarisë teknike të KPAP, sipas njoftimit të sezonit.

Provimet e Aftësive Profesionale

Regjistrimi si Kontabilist i Miratuar

Pas kalimit të tre provimeve, BMP lëshon certifikatën e titullit. Ushtrimi i profesionit fillon me regjistrimin si anëtar i IKM, me pajisjen me licencë dhe me përfshirjen në Regjistrin Publik.

Pas provimit: regjistrimi si Kontabilist i Miratuar

Sa zgjat procedura

Kohëzgjatja varet nga sesioni i trajnimit që ndjek kandidati dhe nga kalendari i provimeve. Trajnimi i Hyrjes në Profesion organizohet dy herë në vit, ndërsa provimet zhvillohen në një sezon vjetor, sipas kalendarit që shpall KPAP. Një kandidat që regjistrohet në fillim të vitit mund t’i përmbyllë trajnimin dhe provimet brenda të njëjtit sezon. Provimet e kaluara ruhen nga sezoni në sezon: afati për të kaluar të tri provimet është pesë vjet nga regjistrimi i parë, sipas rregullores së BMP për procedurat e testimit.

Etapat e procesit

EtapaOrganizohet nga
Anëtarësimi si kandidatIKM — Komiteti i Regjistrimit dhe Licencimit
Trajnimi i Hyrjes në Profesion dhe kurset parapërgatitoreIKM — Komiteti i Edukimit dhe Kualifikimit Profesional
Regjistrimi në provime, zhvillimi i provimeve, rezultatet, ankimetKPAP dhe BMP
Certifikata e titullitBMP
Regjistrimi si Kontabilist i Miratuar, licenca dhe Regjistri PublikIKM — Komiteti i Regjistrimit dhe Licencimit

Kostot e procedurës

Procedura përfshin pesë lloje pagesash:

  1. kuotën vjetore të anëtarësimit si kandidat;
  2. tarifën e Trajnimit të Hyrjes në Profesion;
  3. tarifat e kurseve parapërgatitore që kandidati zgjedh të ndjekë;
  4. tarifën e regjistrimit në provimet e aftësive profesionale;
  5. tarifën për secilin provim.

Tre pagesat e para kryhen pranë IKM dhe vlerat e tyre u komunikohen kandidatëve nga sekretaria gjatë regjistrimit; të dhënat bankare të IKM gjenden në faqen Kontakt. Dy pagesat e fundit përcaktohen nga BMP dhe kryhen në llogarinë e BMP, sipas njoftimit të sezonit të provimeve. IKM nuk është pjesë e procesit të regjistrimit në provime dhe nuk arkëton asnjë pagesë për regjistrimin ose për provimet.

Trajnimet dhe njoftimet e radhës

Kurs parapërgatitor

Kurset parapërgatitore për provimet

Kurset organizohen pas shpalljes së kalendarit të sezonit nga KPAP, disa javë përpara datës së secilit provim. Kandidatët e anëtarësuar njoftohen me email për çdo kurs të radhës.

13Nën 2026
Provimet e Aftësive Profesionale

Sezoni i provimeve 2026

Kërkesat për regjistrim në provime pranohen pranë sekretarisë teknike të KPAP deri më 13 nëntor 2026.

Për pyetje rreth procedurës së marrjes së titullit, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.