Kalo te përmbajtja
Hyr në portal

Pas provimit: regjistrimi si Kontabilist i Miratuar

Kalimi me sukses i tre provimeve përmbyll fazën e kualifikimit. Hapi i fundit është regjistrimi si anëtar i IKM: sipas nenit 51 të Ligjit Nr. 10091, profesioni i kontabilistit të miratuar ushtrohet vetëm pas anëtarësimit në një organizatë profesionale të kontabilistëve të miratuar, të njohur nga BMP, dhe pas përfshirjes në Regjistrin Publik të saj.

Dy hapa, dy institucione

Certifikata e titullit lëshohet nga BMP. Regjistrimi për ushtrimin e profesionit, licenca dhe përfshirja në Regjistrin Publik bëhen pranë IKM.

Certifikata e titullit

Për çdo provim të kaluar, KPAP lëshon dëshminë e provimit. Pas kalimit të tri provimeve dhe dorëzimit të dokumenteve të plota, përfshirë vërtetimet e gjendjes gjyqësore, BMP e pajis kandidatin me certifikatën që vërteton fitimin e titullit “Kontabilist i Miratuar”. Për regjistrimin pranë IKM nevojitet një kopje e noterizuar e certifikatës ose, deri në lëshimin e saj, e vërtetimit të provimeve të lëshuar nga KPAP.

Zgjedhja e kategorisë së anëtarësisë

Para aplikimit, Kontabilisti i Miratuar përcakton mënyrën si do ta ushtrojë profesionin. Kategoria përcakton dokumentet e kërkuara, llojin e licencës dhe mënyrën si paraqitet anëtari në Regjistrin Publik:

  • I vetëpunësuar (person fizik) — profesionist i lirë, i regjistruar në QKB dhe në organet tatimore, që ofron shërbime kontabiliteti me kontratë shërbimi. → Kontabilist i Miratuar – Person Fizik
  • I punësuar — me kontratë individuale pune, me kohë të plotë ose të pjesshme, që kryen shërbime kontabiliteti pranë punëdhënësit. → Kontabilist i Miratuar – I Punësuar
  • Jo-aktiv — mban titullin pa e ushtruar profesionin, për shembull kur është i punësuar në sektorin publik ose në funksione që nuk lidhen me shërbimet e kontabilitetit. → Kontabilist i Miratuar – I Punësuar dhe Jo-aktiv
  • Shoqëri Kontabiliteti — kur profesioni ushtrohet nëpërmjet një personi juridik, të administruar nga Kontabilistë të Miratuar. → Shoqëritë e Kontabilitetit

Kategoria mund të ndryshohet më vonë, me kërkesë drejtuar Komitetit të Regjistrimit dhe Licencimit, kur ndryshon mënyra e ushtrimit të profesionit.

Aplikimi dhe dokumentet

Regjistrimi si anëtar Kontabilist i Miratuar është një aplikim i ri, i veçantë nga anëtarësimi si kandidat: kërkesa plotësohet online nëpërmjet formularit të regjistrimit të anëtarëve dhe dokumentet dorëzohen të plota, sipas listës së kategorisë përkatëse. Në çdo rast nevojiten:

  • kopje e noterizuar e certifikatës së titullit ose e vërtetimit të provimeve të lëshuar nga KPAP;
  • kopje e dokumentit të identifikimit;
  • kopje e Diplomës së Nivelit të Dytë ose e ekuivalentes së saj (DIND);
  • dëshmi penaliteti dhe vërtetim i gjendjes gjyqësore, jo më të vjetra se tre muaj;
  • Curriculum Vitae në gjuhën shqipe dhe fotografi 4 × 5 cm;
  • për të vetëpunësuarit, kopje e NUIS-it dhe ekstrakti historik; për të punësuarit, deklarata personale e punësimit me vërtetimin nga sigurimet shoqërore.

Shqyrtimi dhe regjistrimi

Komiteti i Regjistrimit dhe Licencimit shqyrton kërkesën në mbledhjen e radhës, të paktën një herë në muaj kur ka kërkesa të reja, dhe miraton regjistrimin në Regjistrin Themeltar dhe në Regjistrin Publik. Pas regjistrimit, anëtari njoftohet me email, pajiset me licencën e kategorisë përkatëse dhe me kartën e anëtarësisë, merr aksesin në portalin e anëtarëve dhe shfaqet në Regjistrin Publik me emrin, statusin e punësimit, numrin dhe vitin e certifikatës dhe, për të vetëpunësuarit, NIPT-in.

Detyrimet e vitit të parë

Me regjistrimin, Kontabilisti i Miratuar merr përsipër detyrimet e anëtarësisë:

  • Edukimi i Vijueshëm Profesional — të paktën 40 orë në vit, prej të cilave 20 orë të strukturuara pranë IKM; detyrimi vlen edhe për anëtarët jo-aktivë. Për vitin e lëshimit të certifikatës, detyrimi varet nga data e saj: kur certifikata është lëshuar në gjysmën e parë të vitit, anëtari përmbush detyrimin e plotë për atë vit; kur është lëshuar në gjysmën e dytë, detyrimi fillon nga viti pasardhës. → Edukimi i Vijueshëm Profesional
  • Deklarimi vjetor — Deklarata Vjetore e aktivitetit dhe Deklarata Personale e Punësimit, deri më 31 janar të çdo viti, nëpërmjet portalit. → Deklarimi Vjetor
  • Kuota vjetore e anëtarësisë — për vitin e parë, në përpjesëtim me periudhën e mbetur deri në fund të vitit.
  • Kontrolli i cilësisë — anëtarët aktivë dhe Shoqëritë e Kontabilitetit i nënshtrohen kontrollit të cilësisë. → Kontrolli i Cilësisë
  • Kodi i Etikës — kërkesat e tij janë të detyrueshme për çdo anëtar. → Kodi i Etikës

Për pyetje rreth regjistrimit si Kontabilist i Miratuar, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.