Kalo te përmbajtja
Hyr në portal

Kush mund të bëhet Kontabilist i Miratuar

Kriteret për titullin “Kontabilist i Miratuar” përcaktohen në Ligjin Nr. 10091, datë 05.03.2009, i ndryshuar, dhe zbatohen nga Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale (KPAP) gjatë regjistrimit në provime. IKM i zbaton të njëjtat kritere për pranimin si kandidat, me përjashtim të kursit të kualifikimit dhe të provimeve, që vijnë më pas: kështu çdo kandidat që përfundon Trajnimin e Hyrjes në Profesion mund të regjistrohet në provime pa pengesa.

Të njëjtat kritere, që nga fillimi

Arsimi, përvoja dhe gjendja gjyqësore, përfshirë mungesën e ndjekjes penale ose të gjykimit në proces, vlerësohen nga IKM gjatë anëtarësimit si kandidat dhe nga KPAP gjatë regjistrimit në provime.

Pranimi si kandidat në IKM

Komiteti i Regjistrimit dhe Licencimit pranon si Anëtarë Kandidatë personat që plotësojnë kriteret e arsimit, të përvojës profesionale dhe të gjendjes gjyqësore, përfshirë kërkesën që kandidati të mos jetë në ndjekje penale ose në gjykim për vepra penale. Kursi i kualifikimit ndiqet pranë IKM pas pranimit; provimet jepen pranë KPAP. → Anëtarësimi si kandidat

Kriteret e regjistrimit në provime

Rregullorja Nr. 2, datë 22.02.2018, e BMP “Për funksionimin e Komisionit të Provimeve të Aftësive Profesionale”, e ndryshuar, i rendit kërkesat për kandidatin për Kontabilist të Miratuar si më poshtë (neni 4, pika 1.1):

a) të ketë zotësi për të vepruar;

b) të mos jetë dënuar penalisht ose me dënim plotësues, të natyrës që vë në dyshim ndershmërinë e tij;

b/1) të mos jetë në ndjekje penale nga prokuroria dhe/ose në gjykim për vepra penale;

c) të ketë përfunduar, të paktën, studimet universitare të ciklit të dytë në nivelin “Master”, ose të zotërojë diplomë universitare të ekuivalentuar ose ekuivalente me këtë nivel, për çdonjërën nga degët e studimit në shkencat ekonomike, si kontabilitet, financë, administrim biznesi, ekonomiks apo të barasvlershme me to;

ç) të ketë, të paktën, tre vite përvojë profesionale në fushën e kontabilitetit, të financës, kontrollit financiar dhe në fusha të ngjashme;

d) të ketë kryer kursin e kualifikimit në fushën e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar, të organizuar ose të monitoruar nga organizata profesionale e kontabilistëve të miratuar, e njohur nga BMP, në të cilën dëshiron të anëtarësohet, si dhe testimet përkatëse.

Kriteret ligjore për t’u pajisur me titullin Kontabilist i Miratuar

Sipas nenit 49 të Ligjit Nr. 10091, titulli “Kontabilist i Miratuar” i jepet personit fizik që:

a) ka përfunduar studimet universitare të ciklit të dytë, në nivelin “Master”, ose zotëron diplomë universitare të ekuivalentuar me këtë nivel, në një nga degët e studimit në shkencat ekonomike, si kontabilitet, financë, administrim biznesi, ekonomik ose të barasvlershme me to;

b) ka, të paktën, tre vjet përvojë profesionale në fushën e kontabilitetit, të financës, të kontrollit financiar dhe në fusha të ngjashme;

c) ka kryer kursin e kualifikimit në fushën e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të kontabilitetit dhe të raportimit financiar, të organizuar ose të monitoruar nga organizata profesionale e kontabilistëve të miratuar, në të cilën dëshiron të anëtarësohet;

ç) ka kaluar me sukses provimet e aftësive profesionale.

Sipas nenit 16, pika 1, shkronjat “a” dhe “b”, kandidati ka zotësi të plotë për të vepruar dhe nuk është dënuar penalisht ose me dënim plotësues të një natyre që vë në dyshim ndershmërinë e tij.

Diplomat universitare

Ligji pranon diplomat e ciklit të dytë në kontabilitet, financë, administrim biznesi, ekonomik dhe në degë të barasvlershme me to. Diplomat e fituara jashtë vendit njihen dhe ekuivalentohen nga ministria përgjegjëse për arsimin; ekuivalentimi dëshmohet me dokumentin përkatës (DIND), i cili dorëzohet së bashku me diplomën. Kur ka paqartësi nëse një program studimi hyn te degët e barasvlershme, IKM mund të orientojë kandidatin drejt kanaleve zyrtare; në çdo rast rekomandohet të merret konfirmimi me shkrim nga KPAP dhe BMP, me email në info@bmp.al ose kpap@bmp.al, përpara dorëzimit të kërkesës.

Gjendja gjyqësore

Dëshmia e penalitetit dhe vërtetimi i gjendjes gjyqësore nga gjykata dhe prokuroria, që dëshmojnë edhe mungesën e ndjekjes penale ose të gjykimit në proces, shoqërojnë kërkesën për anëtarësim si kandidat, kërkesën për regjistrim në provime dhe, më pas, kërkesën për regjistrim si Kontabilist i Miratuar. Për qëllime regjistrimi, këto vërtetime pranohen kur janë jo më të vjetra se tre muaj; prandaj është e dobishme të sigurohen afër datës së dorëzimit të secilës kërkesë.

Për pyetje rreth kritereve, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.