Shoqëritë e Kontabilitetit
Shoqëri kontabiliteti është një person juridik, pavarësisht formës së organizimit, i regjistruar në Regjistrin Publik të Kontabilistëve të Miratuar dhe të Shoqërive të Kontabilitetit, i miratuar nga autoritetet kompetente për të kryer shërbime kontabiliteti dhe që plotëson kriteret e parashikuara në legjislacionin në fuqi për shoqëritë e kontabilitetit.
Kushtet për regjistrim
Shoqëri kontabiliteti janë shoqëritë e regjistruara në organet tatimore dhe të krijuara sipas kërkesave të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të cilat, në zbatim të Rregullores Nr. 9 të BMP, plotësojnë kushtet e mëposhtme:
- shoqëria është themeluar në përputhje me kërkesat e Ligjit Nr. 9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”;
- shumica e të drejtave të votës në kapitalin e shoqërisë zotërohet nga shoqëri kontabiliteti ose nga Kontabilistë të Miratuar;
- të paktën 50 për qind e anëtarëve të organit drejtues ose administrativ të shoqërisë janë KM të njohur nga Komiteti i Regjistrimit dhe Licencimit të IKM dhe të regjistruar në Regjistrin Publik të Kontabilistëve të Miratuar; kur organi drejtues ose administrativ nuk ka më shumë se dy anëtarë, të paktën njëri prej tyre e plotëson këtë kusht;
- shoqëria angazhon Kontabilistë të Miratuar të regjistruar në Regjistrin Publik të Kontabilistëve të Miratuar;
- shoqëria gëzon reputacion të mirë.
Aplikimi dhe dokumentacioni
Aplikimi për anëtarësim bëhet vetëm nëpërmjet formularit online të regjistrimit. Kërkesa për anëtarësim plotësohet në vetë formularin nga administratori i shoqërisë ose nga ortaku Kontabilist i Miratuar, dhe aty ngarkohen edhe dokumentet e mëposhtme.
- kopje e NIPT-it (NUIS);
- kopje e ekstraktit historik;
- statuti dhe akti i themelimit;
- kopje e Dëshmisë Profesionale si Kontabilist i Miratuar e ortakut ose e ortakëve dhe e administratorit;
- vërtetim nga organet e drejtësisë se nuk kanë qenë të dënuar për vepra të lidhura me veprimtarinë në fushën e profesionit, për ortakun ose ortakët, për administratorin (kur është i ndryshëm nga ortaku) dhe për personin juridik: Dëshmi Penaliteti dhe Vërtetim i Gjendjes Gjyqësore për çështjet penale, të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit, jo më të vjetra se tre muaj;
- kopje e Diplomës së Nivelit të Dytë ose e ekuivalentes së saj (DIND) e ortakut ose e ortakëve dhe e administratorit (kur është i ndryshëm nga ortaku);
- kopje e dokumentit të identifikimit (pasaportë ose letërnjoftim) e ortakut ose e ortakëve dhe e administratorit;
- lista e Kontabilistëve të Miratuar të shoqërisë;
- rregullorja për parandalimin e pastrimit të parave, kur shoqëria ka tre ose më shumë të punësuar.
Pas dorëzimit të kërkesës
Sekretaria e IKM e regjistron kërkesën dhe ia paraqet Komitetit të Regjistrimit dhe Licencimit brenda dhjetë ditëve nga marrja e dokumentacionit. Komiteti mblidhet të paktën një herë në muaj, brenda datës 5 të muajit, kur ka kërkesa të reja, dhe e njofton kërkuesin për vendimin nëpërmjet sekretarisë brenda dhjetë ditëve pune. Kur dokumentacioni është i paplotë, kërkuesi njoftohet për mangësitë dhe ka dhjetë ditë kohë për t’i plotësuar, pa qenë nevoja për një kërkesë të re. E drejta e anëtarësimit, pas miratimit, fillon nga data e paraqitjes së kërkesës.
Pas miratimit, anëtari i ri paguan kuotën e vitit në përpjesëtim me periudhën e mbetur, pajiset me licencën e kategorisë përkatëse dhe me kartën e anëtarësisë, merr kredencialet e portalit dhe përfshihet në Regjistrin Publik me përditësimin e radhës, i cili bëhet të paktën një herë në muaj. → Licenca dhe karta e anëtarësisë · Kuota dhe pagesat
Për pyetje rreth regjistrimit, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.