Kontabilist i Miratuar – I Punësuar dhe Jo-Aktiv
Anëtarët KM Aktivë të punësuar
Anëtarë KM Aktivë të punësuar janë anëtarët që:
- zotërojnë Dëshminë Profesionale ose certifikatë si Kontabilist i Miratuar, ose kanë vërtetimin e dhënies së provimeve për KM sipas ligjit;
- janë punësuar si Kontabilist i Miratuar me kontratë individuale pune me kohë të plotë ose të pjesshme dhe kryejnë shërbime kontabiliteti, shërbime të lidhura me to dhe shërbime të tjera të lejuara nga ligji, kur punësimi nuk përbën konflikt me kërkesat ligjore për ushtrimin e profesionit si KM.
Anëtarët KM Jo-Aktivë
Anëtarë KM Jo-Aktivë janë anëtarët që zotërojnë Dëshminë Profesionale ose certifikatë si Kontabilist i Miratuar dhe që:
- nuk ushtrojnë veprimtari dhe nuk janë të regjistruar në QKB dhe as në organet tatimore;
- janë të punësuar në sektorin publik, ku nuk lejohet punësimi i dyfishtë ose ku ushtrimi i profesionit të KM përbën konflikt ligjor;
- janë të punësuar me kontratë pune, por në njësinë ku punojnë kryejnë funksione që nuk lidhen me shërbimet e një Kontabilisti të Miratuar;
- janë ekonomikisht jo aktivë, as të punësuar dhe as të vetëpunësuar.
Aplikimi dhe dokumentacioni
Aplikimi për anëtarësim bëhet vetëm nëpërmjet formularit online të regjistrimit. Kërkesa për anëtarësim plotësohet në vetë formularin, ku ngarkohen edhe dokumentet e mëposhtme.
- Curriculum Vitae (CV) në gjuhën shqipe;
- kopje e noterizuar e Dëshmisë Profesionale si Kontabilist i Miratuar, ose kopje e noterizuar e vërtetimit të provimeve ose e dokumentit përkatës të lëshuar nga Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale;
- deklarata personale për dy ose më shumë punësime, shoqëruar me vërtetimin përkatës nga sigurimet shoqërore;
- vërtetim nga organet e drejtësisë se nuk ka qenë i dënuar për vepra të lidhura me veprimtarinë në fushën e profesionit: Dëshmi Penaliteti dhe Vërtetim i Gjendjes Gjyqësore për çështjet penale, të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit, jo më të vjetra se tre muaj;
- kopje e Diplomës së Nivelit të Dytë ose e ekuivalentes së saj (DIND);
- kopje e dokumentit të identifikimit (pasaportë ose letërnjoftim);
- një fotografi, në formatin 4 × 5 cm.
Pas dorëzimit të kërkesës
Sekretaria e IKM e regjistron kërkesën dhe ia paraqet Komitetit të Regjistrimit dhe Licencimit brenda dhjetë ditëve nga marrja e dokumentacionit. Komiteti mblidhet të paktën një herë në muaj, brenda datës 5 të muajit, kur ka kërkesa të reja, dhe e njofton kërkuesin për vendimin nëpërmjet sekretarisë brenda dhjetë ditëve pune. Kur dokumentacioni është i paplotë, kërkuesi njoftohet për mangësitë dhe ka dhjetë ditë kohë për t’i plotësuar, pa qenë nevoja për një kërkesë të re. E drejta e anëtarësimit, pas miratimit, fillon nga data e paraqitjes së kërkesës.
Pas miratimit, anëtari i ri paguan kuotën e vitit në përpjesëtim me periudhën e mbetur, pajiset me licencën e kategorisë përkatëse dhe me kartën e anëtarësisë, merr kredencialet e portalit dhe përfshihet në Regjistrin Publik me përditësimin e radhës, i cili bëhet të paktën një herë në muaj. → Licenca dhe karta e anëtarësisë · Kuota dhe pagesat
Për pyetje rreth regjistrimit, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.