Kalo te përmbajtja
Hyr në portal

Përvoja profesionale

Krahas arsimit universitar, ligji kërkon që kandidati për titullin “Kontabilist i Miratuar” të ketë, të paktën, tre vjet përvojë profesionale në fushën e kontabilitetit, të financës, të kontrollit financiar dhe në fusha të ngjashme (neni 49, shkronja “b”, i Ligjit Nr. 10091). Përvoja është kusht për anëtarësimin si kandidat në IKM dhe verifikohet nga Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale gjatë regjistrimit në provime, ku tre vitet duhet të jenë plotësuar në momentin e regjistrimit.

Tre vjet të plota

Në momentin e regjistrimit në provime, kandidati dëshmon të paktën tre vjet përvojë profesionale, me dokumente zyrtare.

Çfarë njeh ligji si përvojë profesionale

Ligji njeh përvojën profesionale në fushën e kontabilitetit, të financës, të kontrollit financiar dhe në fusha të ngjashme, të fituar në marrëdhënie punësimi, si për shembull:

  • mbajtja e kontabilitetit dhe përgatitja e pasqyrave financiare në njësi ekonomike të çdo forme dhe madhësie;
  • puna në departamentet e financës, të kontrollit financiar ose të auditimit të brendshëm;
  • puna në një Shoqëri Kontabiliteti;
  • pozicionet e financës dhe të kontabilitetit në institucionet publike.

Për përvojën në fusha të ngjashme, vlerësimi bëhet rast pas rasti nga KPAP dhe BMP, të cilët administrojnë procesin e provimeve. Kandidati mund t’u drejtohet atyre me email në info@bmp.al ose kpap@bmp.al përpara regjistrimit, ose të kërkojë orientim nga IKM për kanalet zyrtare.

Si dokumentohet

Sipas listës së dokumenteve që KPAP publikon për çdo sezon, përvoja dëshmohet me:

  • kopje të noterizuar të librezës së punës, ose
  • vërtetim nga sigurimet shoqërore për gjendjen e sigurimit shoqëror dhe shëndetësor, ose
  • vërtetime të tjera që provojnë kriterin ligjor të përvojës në punë.

Dokumentet e lëshuara jashtë vendit shoqërohen me përkthimin e noterizuar në gjuhën shqipe.

Kur vlerësohet përvoja

Përvoja vlerësohet dy herë: nga Komiteti i Regjistrimit dhe Licencimit i IKM gjatë anëtarësimit si kandidat, mbi bazën e dokumenteve të dorëzuara, dhe nga KPAP gjatë regjistrimit në provime, ku tre vitet duhet të jenë të plota. Për personat që i kanë kaluar provimet e aftësive profesionale, kriteri i përvojës konsiderohet i plotësuar, pasi ata janë pranuar në provime dhe i kanë kaluar ato.

Raste të veçanta

Për rastet jashtë situatës së zakonshme — përvojë e fituar jashtë vendit, punë me kohë të pjesshme, periudha pune para përfundimit të studimeve “Master” ose përvojë në fusha të ngjashme — vendimi është atribut i KPAP dhe i BMP. IKM mund të orientojë kandidatin drejt kanaleve zyrtare; rekomandohet të merret konfirmimi me shkrim nga KPAP ose BMP, me email në info@bmp.al ose kpap@bmp.al, përpara regjistrimit në provime.

Për pyetje rreth përvojës profesionale, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.