Kalo te përmbajtja
Hyr në portal

Anëtarësimi si kandidat

Sipas ligjit, kursi i kualifikimit në standardet e kontabilitetit dhe të raportimit financiar ndiqet pranë organizatës profesionale të kontabilistëve të miratuar në të cilën kandidati synon të anëtarësohet. Për këtë arsye, procedura pranë IKM fillon me anëtarësimin si Kandidat për Kontabilist të Miratuar — një kategori anëtarësie e parashikuar në Statutin e IKM, që i hap kandidatit rrugën për Trajnimin e Hyrjes në Profesion, për kurset parapërgatitore dhe për mbështetjen e Institutit deri te regjistrimi si Kontabilist i Miratuar.

Aplikimi bëhet vetëm online

Kërkesa për anëtarësim, drejtuar Komitetit të Regjistrimit dhe Licencimit, është pjesë e formularit online, ku ngarkohen edhe dokumentet shoqëruese.

Kush mund të anëtarësohet si kandidat

Sipas nenit 16, pika 1, shkronjat “a”, “b” dhe “ç”, të Ligjit Nr. 10091, i referuar nga Statuti i IKM për Anëtarët Kandidatë, kandidati që dëshiron të anëtarësohet pranë IKM duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:

a) ka zotësi të plotë për të vepruar;

b) nuk është dënuar penalisht ose me dënim plotësues të një natyre që vë në dyshim ndershmërinë e tij;

c) ka përfunduar, të paktën, studimet universitare të ciklit të dytë, në nivelin “Master”, ose zotëron diplomë universitare të ekuivalentuar me këtë nivel, në një nga degët e studimit në shkencat ekonomike, si kontabilitet, financë, administrim biznesi, ekonomik ose të barasvlershme me to;

d) të ketë, të paktën, tre vjet përvojë profesionale në fushën e kontabilitetit, të financës, të kontrollit financiar dhe në fusha të ngjashme (neni 49, shkronja “b”, i Ligjit Nr. 10091). → Përvoja profesionale

Dokumentet

  1. kopje e dokumentit të identifikimit (pasaportë ose letërnjoftim);
  2. kopje e Diplomës së Nivelit të Dytë ose e ekuivalentes së saj (DIND);
  3. dëshmi penaliteti dhe vërtetim i gjendjes gjyqësore nga gjykata dhe prokuroria, jo më të vjetra se tre muaj;
  4. vërtetim i përvojës profesionale prej të paktën tre vjetësh (kopje e librezës së punës ose vërtetim nga sigurimet shoqërore);
  5. Curriculum Vitae (CV) në gjuhën shqipe;
  6. një fotografi, në formatin 4 × 5 cm.

Dokumentet ngarkohen në formularin online në format PDF; fotografia ngarkohet si imazh. Kur një dokument mungon ose është i paqartë, sekretaria e IKM kontakton kandidatin për plotësimin e tij, pa qenë nevoja për një kërkesë të re.

Si shqyrtohet kërkesa

Kërkesa është pjesë e formularit online dhe përmban deklaratën e kandidatit për njohjen e Statutit të IKM dhe angazhimin për zbatimin e tij. Komiteti i Regjistrimit dhe Licencimit mblidhet të paktën një herë në muaj kur ka kërkesa të reja, shqyrton dokumentacionin dhe e njofton kandidatin për vendimin nëpërmjet sekretarisë brenda dhjetë ditëve pune. Kur dokumentacioni ka mangësi, kandidatit i jepet një afat prej dhjetë ditësh për plotësimin e tij. Anëtarësimi shoqërohet me pagesën e kuotës fikse vjetore të anëtarësimit, vlera dhe mënyra e pagesës së të cilës i komunikohen kandidatit nga sekretaria.

Pas miratimit

Me miratimin e kërkesës, kandidati:

  • regjistrohet në regjistrin e kandidatëve të IKM, seksioni “kandidatë” i regjistrit të anëtarëve të parashikuar në nenin 51 të ligjit;
  • fiton të drejtën të regjistrohet në Trajnimin e Hyrjes në Profesion dhe në kurset parapërgatitore për provimet;
  • njoftohet rregullisht me email për sesionet e trajnimeve, për hapjen e sezonit të provimeve dhe për afatet e regjistrimit.

Të drejtat dhe detyrimet e Anëtarëve Kandidatë

Anëtarët Kandidatë për Kontabilist të Miratuar kanë të drejtë:

  • të informohen mbi veprimtarinë e IKM dhe administrimin e saj;
  • të kenë mbrojtje dhe mbështetje profesionale nga IKM.

Njëkohësisht, Anëtarët Kandidatë kanë këto detyrime:

  • të respektojnë kërkesat ligjore, nënligjore dhe statutore, si dhe rregulloret e IKM;
  • të zbatojnë standardet profesionale dhe Kodin e Etikës së IFAC, si dhe Kodin e Etikës së IKM;
  • të shlyejnë në afatet e caktuara kuotat e anëtarësisë;
  • të zbatojnë vendimet e Asamblesë së Përgjithshme dhe të Këshillit të Drejtimit.

Kandidatët janë anëtarë pa të drejtë vote dhe nuk zgjedhin e nuk zgjidhen në organet drejtuese të IKM.

Kohëzgjatja e statusit kandidat

Statusi i kandidatit është vjetor dhe rinovohet me pagesën e kuotës së anëtarësimit për çdo vit kalendarik. Ai përfundon me regjistrimin e kandidatit si Kontabilist i Miratuar, me kërkesën e tij për largim ose në rastet e parashikuara nga Statuti. Kandidatët që e ndërpresin statusin dhe dëshirojnë ta rifillojnë më vonë paraqesin një kërkesë të re, duke përditësuar dokumentet që kanë humbur vlefshmërinë.

Formulari i regjistrimit si kandidat

Për pyetje rreth anëtarësimit si kandidat, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.