Kalo te përmbajtja
Hyr në portal

Pyetje të shpeshta për kandidatët

Para se të fillojë procedura

A mjafton diploma “Bachelor”?

Ligji kërkon studimet universitare të ciklit të dytë, në nivelin “Master”, ose një diplomë të ekuivalentuar me këtë nivel, në një nga degët e shkencave ekonomike. Diploma “Bachelor” nuk e plotëson këtë kusht. Kërkesa për anëtarësim si kandidat mund të paraqitet pas përfundimit të studimeve “Master”.

Diploma ime nuk është në kontabilitet ose financë. A pranohet?

Ligji pranon degët e shkencave ekonomike: kontabilitet, financë, administrim biznesi, ekonomik dhe degë të barasvlershme me to. Vlerësimi i rasteve të tjera është atribut i KPAP dhe i BMP, që administrojnë procesin e provimeve: rekomandohet të merret konfirmimi me shkrim përpara dorëzimit të kërkesës, me email në info@bmp.al ose kpap@bmp.al. IKM mund të orientojë kandidatin drejt këtyre kanaleve.

Kam diplomë të fituar jashtë vendit. Çfarë nevojitet?

Diploma e huaj shoqërohet me dokumentin e njohjes dhe të ekuivalentimit të lëshuar nga ministria përgjegjëse për arsimin (DIND). Dokumenti i ekuivalentimit dorëzohet së bashku me diplomën si gjatë anëtarësimit si kandidat, ashtu edhe gjatë regjistrimit në provime.

Çfarë përvoje kërkohet?

Të paktën tre vjet përvojë profesionale në fushën e kontabilitetit, të financës, të kontrollit financiar dhe në fusha të ngjashme, siç e përcakton neni 49 i Ligjit Nr. 10091. Tre vitet duhet të jenë plotësuar në momentin e regjistrimit në provime. Për përvojën në fusha të ngjashme ose për raste të veçanta, vendimi është atribut i KPAP dhe i BMP, të cilëve kandidati mund t’u drejtohet në info@bmp.al ose kpap@bmp.al. → Përvoja profesionale

A mund të anëtarësohem si kandidat pa i plotësuar tre vitet e përvojës?

Anëtarësimi si kandidat në IKM bëhet pas plotësimit të kriterit të përvojës, sepse i njëjti kriter kërkohet nga KPAP për regjistrimin në provime; kështu certifikatat e Trajnimit të Hyrjes në Profesion i shërbejnë kandidatit menjëherë. Për personat që i kanë kaluar provimet, kriteri i përvojës konsiderohet i plotësuar.

Anëtarësimi

A është e nevojshme të jem anëtar i IKM për të dhënë provimet?

Ligji kërkon që kursi i kualifikimit SKK dhe SNRF të jetë kryer pranë organizatës profesionale të njohur nga BMP në të cilën kandidati synon të anëtarësohet, dhe pas provimeve profesioni ushtrohet vetëm si anëtar i një organizate të tillë. IKM është një nga organizatat e njohura nga BMP; anëtarësimi si kandidat në IKM i hap rrugën kursit dhe, më pas, regjistrimit si Kontabilist i Miratuar.

Sa kohë zgjat shqyrtimi i kërkesës për anëtarësim?

Komiteti i Regjistrimit dhe Licencimit mblidhet të paktën një herë në muaj kur ka kërkesa të reja. Kërkesa e plotë shqyrtohet në mbledhjen e radhës dhe kandidati njoftohet për vendimin brenda dhjetë ditëve pune.

A rinovohet statusi i kandidatit çdo vit?

Statusi i kandidatit është vjetor dhe rinovohet me pagesën e kuotës së anëtarësimit për çdo vit kalendarik, deri në regjistrimin si Kontabilist i Miratuar.

Trajnimet

Sa herë në vit organizohet Trajnimi i Hyrjes në Profesion?

Dy herë në vit, në pranverë dhe në vjeshtë, me pjesëmarrje fizike. Datat publikohen te Njoftime → Trajnime dhe u dërgohen me email kandidatëve të anëtarësuar.

A janë trajnimet të detyrueshme?

Trajnimi i Hyrjes në Profesion (modulet SKK dhe SNRF) është një nga kriteret ligjore për regjistrimin në provime dhe kryhet nga çdo kandidat; për hyrjen në testim kërkohet pjesëmarrja në të paktën 75% të orëve. Kurset parapërgatitore për provimet janë mbështetje shtesë dhe ndiqen sipas zgjedhjes së kandidatit.

Çfarë ndodh nëse nuk e kaloj testimin në fund të trajnimit?

Certifikatat për SKK dhe SNRF lëshohen pas kalimit të testimit. Kandidati që nuk e kalon testimin mund ta rijapë atë në sesionin e radhës të trajnimit.

Sa kohë vlejnë certifikatat e trajnimit?

Për regjistrimin në provime, certifikatat janë të vlefshme nga momenti i lëshimit, me përjashtim të rasteve kur në standardet përkatëse ndodhin ndryshime thelbësore, sipas kritereve që KPAP publikon për çdo sezon.

Provimet

Kush i organizon provimet?

Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale (KPAP), i cili funksionon pranë Bordit të Mbikëqyrjes Publike. KPAP vendos për regjistrimin, zhvillon provimet dhe shpall rezultatet; BMP lëshon certifikatën e titullit dhe shqyrton ankimet. IKM përgatit kandidatët dhe u përcjell njoftimet; asnjë regjistrim dhe asnjë pagesë për provimet nuk kryhet pranë IKM.

Sa provime duhen kaluar për titullin?

Tre: raportimi dhe përgatitja e pasqyrave financiare; zbatimi në praktikë i legjislacionit civil, penal, tregtar dhe i punës; zbatimi në praktikë i legjislacionit të tatimeve dhe taksave. Radha e tyre caktohet në kalendarin e secilit sezon. Kandidatët për Auditues Ligjor japin edhe tre provime të tjera.

A mund t’i jap provimet në sezone të ndryshme?

Po. Kandidati mund të regjistrohet në secilin prej tre provimeve pavarësisht nga rezultati i provimit paraardhës, dhe provimet e kaluara ruhen nga sezoni në sezon. Afati për të kaluar të tri provimet është pesë vjet nga regjistrimi; kur afati kalon pa u përmbushur të tri provimet, procesi fillon nga e para.

Ku dorëzohen dokumentet për provime?

Pranë sekretarisë teknike të KPAP, e cila funksionon pranë IEKA, brenda periudhës së përcaktuar në njoftimin e sezonit; një kopje e kërkesës, së bashku me dokumentin e pagesës së tarifës së regjistrimit, dorëzohet pranë BMP. Lista e dokumenteve publikohet për çdo sezon në faqen e BMP. → Provimet e Aftësive Profesionale

Ku publikohen rezultatet?

KPAP i shpall rezultatet jo më vonë se 15 ditë pune pas përfundimit të korrigjimit, në faqet e BMP dhe të IEKA, dhe njofton çdo kandidat individualisht në mënyrë elektronike. Teza e zgjidhur publikohet brenda 72 orëve nga provimi.

Si mund të ankimohet një vendim ose një rezultat?

Ankimi dorëzohet pranë Bordit të Mbikëqyrjes Publike brenda afatit që publikohet së bashku me rezultatet e çdo provimi; Bordi e shqyrton atë jo më herët se 10 dhe jo më vonë se 45 ditë pune nga dorëzimi dhe vendimet e tij janë përfundimtare. Kur kandidati vëren një gabim në çelësin e zgjidhjeve të publikuar, ai vë në dijeni KPAP.

Pas provimit

Çfarë ndodh pas kalimit të tre provimeve?

BMP lëshon certifikatën e titullit. Kandidati zgjedh kategorinë e anëtarësisë sipas mënyrës si do ta ushtrojë profesionin dhe paraqet një aplikim të ri online për regjistrim si Kontabilist i Miratuar. Pas miratimit nga Komiteti i Regjistrimit dhe Licencimit, ai pajiset me licencë dhe përfshihet në Regjistrin Publik.

A mund ta ushtroj profesionin menjëherë pas provimeve?

Profesioni ushtrohet pas regjistrimit si anëtar i një organizate profesionale të njohur nga BMP, pajisjes me licencë dhe përfshirjes në Regjistrin Publik të saj. Kërkesa për regjistrim mund të paraqitet sapo kandidati të ketë certifikatën ose vërtetimin e provimeve nga KPAP.

A mund të vazhdoj më pas për titullin “Auditues Ligjor”?

Po. Sipas Rregullores Nr. 2 të BMP, Kontabilistët e Miratuar që i kanë kaluar tri provimet kalojnë drejtpërdrejt në provimet e tjera të disiplinave për Auditues Ligjor, kur plotësojnë kërkesat e tjera të ligjit për atë titull dhe kur programet e provimeve të dhëna nuk kanë pësuar ndryshime të konsiderueshme.

Kostot

Sa kushton procedura?

Procedura përfshin pesë pagesa: kuotën vjetore të anëtarësimit si kandidat, tarifën e Trajnimit të Hyrjes në Profesion dhe tarifat e kurseve parapërgatitore, që kryhen pranë IKM dhe u komunikohen kandidatëve nga sekretaria; tarifën e regjistrimit në provime dhe tarifën për secilin provim, që përcaktohen nga BMP, kryhen në llogarinë e BMP dhe publikohen në dokumentin e kritereve të sezonit. IKM nuk arkëton asnjë pagesë për regjistrimin ose për provimet.

Për çdo pyetje tjetër, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.