Kalo te përmbajtja
Hyr në portal

Të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve

Marrëdhënia ndërmjet anëtarit dhe Institutit përcaktohet në nenin 4 të Statutit të IKM, i cili rendit të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve Kontabilistë të Miratuar dhe të Shoqërive të Kontabilitetit. Të drejtat lidhen me pjesëmarrjen në jetën e Institutit dhe me mbështetjen që ai u ofron anëtarëve; detyrimet lidhen me rregullat e profesionit dhe me funksionimin e vetë Institutit.

Baza statutore

Statuti i IKM, neni 4 · miratuar nga Asambleja e Përgjithshme më 29 shtator 2022 · PDF

Të drejtat e anëtarëve Kontabilistë të Miratuar

Anëtarët e Institutit kanë të drejtë:

  • të zgjedhin dhe të zgjidhen në organet e IKM;
  • të informohen mbi veprimtarinë e IKM dhe administrimin e saj;
  • të kenë mbrojtje dhe mbështetje profesionale nga IKM.

Të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur e kanë të gjithë anëtarët Kontabilistë të Miratuar që, në datën e njoftimit për thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme, janë të regjistruar në Regjistrin Publik të IKM. Çdo anëtar ka një votë. Kur Asambleja zhvillohet me përfaqësues të zgjedhur, anëtarët e degëve dhe të seksioneve zgjedhin një përfaqësues për çdo katër anëtarë, në mbledhjet që mbahen brenda 15 ditëve nga njoftimi i rendit të ditës.

Kandidimi për organet drejtuese — Këshilli i Drejtimit, Komiteti i Auditimit të Brendshëm dhe Komiteti i Menaxhimit të Cilësisë — paraqitet pranë sekretarisë së IKM të paktën 15 ditë para Asamblesë, me mbështetjen e të paktën dhjetë anëtarëve të Regjistrit Publik. Kandidati plotëson kushtet e nenit 10 të Statutit: pesë vjet anëtarësi si Kontabilist i Miratuar aktiv, kuotat e paguara në afat për tre vitet e fundit, detyrimet e Edukimit të Vijueshëm të përmbushura dhe asnjë masë disiplinore në dy vitet e fundit.

Detyrimet e anëtarëve Kontabilistë të Miratuar

Anëtarët e Institutit:

  • respektojnë kërkesat ligjore, nënligjore dhe statutore, si dhe rregulloret e IKM;
  • zbatojnë standardet profesionale dhe Kodin e Etikës së IFAC, si dhe Kodin e Etikës së IKM;
  • shlyejnë në afatet e caktuara kuotat profesionale të anëtarësisë;
  • zbatojnë vendimet e Asamblesë së Përgjithshme dhe të Këshillit të Drejtimit;
  • marrin pjesë në veprimtaritë e Edukimit të Vijueshëm dhe në veprimtari të tjera të organizuara nga IKM.

Në zbatim të këtyre detyrimeve, çdo anëtar dorëzon deri më 31 janar Deklaratën Vjetore të aktivitetit dhe Deklaratën Personale të Punësimit; për çdo kontratë shërbimi mbahet një dosje e veçantë, e cila ruhet pesë vjet; ndryshimet e punësimit deklarohen brenda 15 ditëve. Kuota vjetore e anëtarësisë paguhet deri më 31 mars. → Deklarimi vjetor

Shoqëritë e Kontabilitetit

Shoqëria e Kontabilitetit përfaqësohet në IKM nga administratori ose nga ortaku Kontabilist i Miratuar. Ajo dorëzon Deklaratën Vjetore të aktivitetit, i nënshtrohet kontrollit të cilësisë për shërbimet që ofron dhe mban rregulloren e brendshme për parandalimin e pastrimit të parave kur ka tre ose më shumë të punësuar. Anëtarët Kontabilistë të Miratuar të shoqërisë ruajnë të drejtat dhe detyrimet e tyre individuale.

Çfarë ofron IKM

Në përmbushje të objektit të vet statutor, Instituti:

  • mban dhe publikon Regjistrin Publik, që i jep anëtarit dukshmëri ndaj klientëve dhe institucioneve;
  • organizon Edukimin e Vijueshëm, trajnimet dhe programet e certifikimit;
  • përfaqëson dhe mbron interesat e anëtarëve ndaj palëve të treta dhe institucioneve, përfshirë me rrugë ligjore kur është e nevojshme;
  • bashkërendon punën me Bordin e Mbikëqyrjes Publike, Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit, Komisionin e Provimeve të Aftësive Profesionale, administratën tatimore dhe universitetet;
  • i mban anëtarët të informuar për zhvillimet ligjore dhe profesionale nëpërmjet degëve, seksioneve, portalit dhe njoftimeve.

Heqja e anëtarësisë

Anëtarësia hiqet me kërkesë të anëtarit, kur ai nuk plotëson më kushtet e ligjit, të Statutit ose të rregulloreve, kur kryen veprime në kundërshtim me Kodin e Etikës ose me ligjin, si rrjedhojë e masave disiplinore, ose në rast vdekjeje. Kërkesa për çregjistrim pranohet pasi anëtari ka përmbushur të gjitha detyrimet ndaj Institutit dhe kur ndaj tij nuk është në proces një kontroll cilësie ose një investigim. → Ndryshimi i statusit dhe çregjistrimi

Për pyetje rreth të drejtave dhe detyrimeve, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.