Licenca dhe karta e anëtarësisë
Në përputhje me Ligjin Nr. 10091 dhe me Rregulloren Nr. 9 të Bordit të Mbikëqyrjes Publike, IKM i pajis anëtarët e vet Kontabilistë të Miratuar me licencë profesionale dhe me kartë anëtarësie. Licenca dëshmon të drejtën e ushtrimit të profesionit në kategorinë përkatëse për vitin në vijim; karta identifikon anëtarin e Institutit. Të dyja lëshohen mbi bazën e vendimit të Komitetit të Regjistrimit dhe Licencimit dhe miratohen nga Kryetari i Këshillit të Drejtimit.
Kategoria A — për Kontabilistët e Miratuar të vetëpunësuar dhe për administratorët e Shoqërive të Kontabilitetit. Kategoria AP — për Kontabilistët e Miratuar të punësuar.
Kush pajiset me licencë
Pajisen me licencë anëtarët Kontabilistë të Miratuar që i përkasin një kategorie të licencueshme, kanë shlyer rregullisht detyrimet e anëtarësisë, kanë dorëzuar vetëdeklarimet për aktivitetin dhe punësimin, nuk janë dënuar me vendim të formës së prerë dhe nuk kanë pengesa ligjore për ushtrimin e profesionit. Anëtarët e pajisur me dëshmi profesionale përpara vitit 2019 kanë kaluar edhe procesin e verifikimit të përputhshmërisë ligjore nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike.
Licenca e kategorisë A
U lëshohet Kontabilistëve të Miratuar të vetëpunësuar, të regjistruar në QKB, si dhe administratorit Kontabilist i Miratuar të një Shoqërie Kontabiliteti, i cili, si përfaqësues ligjor, e mban licencën për shoqërinë. Vetëm mbajtësit e licencës së kategorisë A kanë të drejtë t’u ofrojnë shërbime kontabiliteti palëve të treta me kontratë shërbimi. Çdo ndryshim i statusit të ushtrimit të profesionit ose të punësimit i njoftohet IKM brenda 15 ditëve.
Licenca e kategorisë AP
U lëshohet Kontabilistëve të Miratuar të punësuar pranë subjekteve private, organizatave jofitimprurëse ose institucioneve publike, kur punësimi lejon ushtrimin e profesionit, dhe Kontabilistëve të Miratuar të punësuar pranë një Shoqërie Kontabiliteti. Ortakët e një Shoqërie Kontabiliteti pajisen me licencë vetëm kur janë të punësuar si Kontabilistë të Miratuar. Mbajtësit e licencës AP njoftojnë IKM për çdo ndryshim të statusit të punësimit.
Pa licencë
Kontabilistët e Miratuar jo-aktivë dhe ortakët e Shoqërive të Kontabilitetit që nuk janë të punësuar si Kontabilistë të Miratuar mbeten anëtarë të Institutit dhe pjesë e Regjistrit Publik me statusin përkatës, pa u pajisur me licencë.
Vlefshmëria dhe ripërtëritja
Licenca është e vlefshme për një vit nga data e lëshimit. Ripërtëritja bëhet brenda tremujorit të parë të çdo viti: Komiteti i Regjistrimit dhe Licencimit verifikon Deklaratat Vjetore, përmbushjen e detyrimeve statutore dhe vendimet e organeve të investigimit dhe të disiplinës, dhe përgatit listën e anëtarëve që pajisen me licencë për vitin përkatës. Regjistri Publik përditësohet në përfundim të këtij procesi.
Revokimi i licencës
Licenca revokohet nga Këshilli i Drejtimit, nëpërmjet Komitetit të Regjistrimit dhe Licencimit, me kërkesë të anëtarit; kur anëtari nuk plotëson më kushtet e ligjit, të Statutit ose të rregulloreve; për veprime në kundërshtim me Kodin e Etikës ose me ligjin; si rrjedhojë e gjetjeve ose e rezultatit “dobët” në kontrollin e cilësisë; si rrjedhojë e masave disiplinore; kur Bordi i Mbikëqyrjes Publike i heq anëtarit të drejtën e ushtrimit të profesionit; ose në rast vdekjeje. Vendimi i revokimit pasqyrohet në Regjistrin e Licencave dhe në Regjistrin Publik.
Karta e anëtarësisë
Karta e anëtarësisë “Kontabilist i Miratuar” u lëshohet anëtarëve që zotërojnë titullin, kanë shlyer detyrimet, kanë dorëzuar vetëdeklarimet dhe janë vlerësuar pozitivisht nga Komiteti i Regjistrimit dhe Licencimit. Karta është e vlefshme pesë vjet nga data e lëshimit dhe bëhet e pavlefshme me heqjen e anëtarësisë, kur edhe dorëzohet pranë Institutit.
Regjistri i Licencave
Krahas regjistrit të anëtarëve, IKM mban një Regjistër të Licencave, me numrin e licencës, degën ose seksionin, datën e lëshimit, afatin e vlefshmërisë dhe statusin (aktiv, jo-aktiv, revokuar) për çdo anëtar të licencuar. Regjistri mirëmbahet nga Komiteti i Regjistrimit dhe Licencimit nëpërmjet strukturës ekzekutive.
Për pyetje rreth licencës dhe kartës, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.