Kalo te përmbajtja
Hyr në portal

Certifikimi “Kontabilist Ligjor”

Instituti i Kontabilistëve të Miratuar organizon dhe administron programin e certifikatës profesionale “Kontabilist Ligjor”, i cili ka për qëllim zhvillimin dhe vërtetimin e njohurive dhe aftësive profesionale specifike në fushën e kontabilitetit ligjor, analizës financiare, hetimit financiar dhe hetimit të mashtrimit. Programi është pjesë e objektit të veprimtarisë së IKM sipas Statutit, i cili i njeh Institutit zhvillimin, organizimin dhe administrimin e programeve të kualifikimit dhe certifikimit profesional në fusha të lidhura me kontabilitetin, financën, kontrollin financiar dhe investigimin financiar, duke ruajtur natyrën e tij si organizatë profesionale e Kontabilistëve të Miratuar.

Specializim profesional shtesë

Certifikata “Kontabilist Ligjor” nuk krijon një profesion të ri të rregulluar me ligj dhe nuk zëvendëson e nuk barazohet me dëshminë “Kontabilist i Miratuar” apo me titullin “Auditues Ligjor”.

Natyra e certifikatës

Certifikata “Kontabilist Ligjor” përbën një specializim profesional shtesë, të administruar nga IKM. Ajo nuk i jep mbajtësit të drejtën për të ushtruar veprimtari për të cilat legjislacioni në fuqi kërkon dëshmi, licencë, autorizim ose regjistrim të posaçëm, përfshirë auditimin ligjor dhe veprimtaritë e tjera të rezervuara me ligj, dhe nuk i jep automatikisht cilësinë e ekspertit gjyqësor, për të cilën zbatohen procedurat dhe kriteret e përcaktuara nga legjislacioni.

Kategoria statutore e mbajtësve të certifikatës

Për qëllime të administrimit të certifikimit, të regjistrimit, të edukimit të vijueshëm dhe të zbatimit të rregullave profesionale dhe etike që lidhen me certifikatën, Statuti parashikon një kategori të posaçme për personat që e fitojnë atë. Kjo kategori është e dallueshme nga anëtarësia profesionale e Kontabilistëve të Miratuar: nuk përbën anëtarësi në cilësinë e Kontabilistit të Miratuar, nuk krijon të drejtat e kësaj anëtarësie dhe nuk ndikon në përbërjen, përfaqësimin, kuorumin apo funksionimin e organeve të IKM. Personat e regjistruar në këtë kategori nuk kanë të drejtën e votës në Asamblenë e Përgjithshme dhe nuk llogariten për efekt të kuorumit, të shumicave të vendimmarrjes ose të zgjedhjes së organeve drejtuese.

Mbajtësi i certifikatës e ruan statusin aktiv për sa kohë përmbush kërkesat e edukimit të vijueshëm profesional dhe kërkesat profesionale, etike, disiplinore dhe financiare të përcaktuara në Statut dhe në aktet rregullatore të IKM. IKM mban një regjistër të veçantë të personave mbajtës të certifikatës “Kontabilist Ligjor”.

Organizimi dhe administrimi

Programi organizohet dhe administrohet sipas një rregulloreje të veçantë, të hartuar nga Komiteti i Edukimit dhe Kualifikimit Profesional dhe të miratuar nga Këshilli i Drejtimit. Rregullorja përcakton kriteret e pranimit në program, dokumentacionin dhe procedurat e aplikimit, programet e trajnimit, rregullat dhe procedurat e testimit dhe të vlerësimit, të drejtat dhe detyrimet e mbajtësve të certifikatës, formën e deklarimit vjetor, formatin dhe përmbajtjen e certifikatës, kërkesat për edukim të vijueshëm në këtë fushë, kërkesat etike dhe të disiplinës, tarifat dhe detyrimet financiare, si dhe rregullat e regjistrimit dhe të regjistrit të Kontabilistëve Ligjorë. Vendimet për përfitimin, mbajtjen, pezullimin ose revokimin e certifikatës dhe të statusit merren sipas kritereve dhe procedurave të Statutit dhe të rregullores, duke garantuar transparencën, dokumentimin dhe të drejtën e ankimit.

Kuota vjetore

Personi i regjistruar si mbajtës i certifikatës paguan kuotën vjetore të statusit “Kontabilist Ligjor”, masën e së cilës e miraton Asambleja e Përgjithshme me propozim të Këshillit të Drejtimit; afati dhe mënyra e pagesës përcaktohen nga Këshilli i Drejtimit. Kur personi është njëkohësisht Kontabilist i Miratuar dhe Kontabilist Ligjor, kuota e statusit paguhet veçmas nga kuota e anëtarësisë si Kontabilist i Miratuar. Për vitin e parë të regjistrimit, kuota paguhet në përpjesëtim me periudhën e mbetur deri në fund të vitit kalendarik.

Certifikatat e fituara më parë

Personat që janë pajisur nga IKM me certifikatën “Kontabilist Ligjor” përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve statutore nuk detyrohen të përsëritin modulet ose provimet e përfunduara me sukses. Ata regjistrohen në kategorinë statutore dhe në regjistrin e Kontabilistëve Ligjorë brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve, pasi verifikohet përmbushja e kushteve të Statutit, sipas procedurës që përcakton Këshilli i Drejtimit.

Sesioni i radhës dhe regjistrimi

Sesionet e programit shpallen te Njoftime → Trajnime, me kalendarin, afatin dhe formularin online të regjistrimit. Tarifa e programit u komunikohet të regjistruarve nga sekretaria.

Për pyetje rreth programit, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.