EN
AL

PROGRAM TRAJNIMI DHE CERTIFIKIMI PËR KONTABILISTIN LIGJOR

Forensic Accountant

Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) ka kënaqësinë të njoftojë anëtarët e tij në lidhje me organizimin e Programit të Trajnimit dhe Certifikimit për Kontabilistin Ligjor (Forensic Accountant), një program i specializuar që synon zhvillimin e kompetencave profesionale në fushën e zbulimit, hetimit dhe parandalimit të mashtrimeve financiare dhe krimeve ekonomike.

Kontabiliteti ligjor përfaqëson një nga fushat më të avancuara të profesionit të kontabilitetit, duke kombinuar njohuritë e kontabilitetit, auditimit, analizës financiare dhe teknikave hetimore për identifikimin, dokumentimin dhe analizimin e shkeljeve financiare, si dhe për mbështetjen e proceseve hetimore dhe gjyqësore.

Në kushtet e rritjes së kompleksitetit të transaksioneve financiare, zhvillimeve teknologjike dhe ekspozimit ndaj formave të reja të mashtrimit financiar dhe krimit ekonomik, nevoja për profesionistë të specializuar në kontabilitetin ligjor po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, si për sektorin privat ashtu edhe për institucionet publike.

QËLLIMI I PROGRAMIT

Programi synon të krijojë një profil profesional të specializuar të Kontabilistit Ligjor, të ndërtuar mbi bazën e kompetencave të kontabilistëve të miratuar, duke i pajisur pjesëmarrësit me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për:

  • Zbulimin, hetimin dhe parandalimin e mashtrimeve financiare;
  • Analizimin dhe dokumentimin e krimeve ekonomike;
  • Përgatitjen e raporteve profesionale dhe ekspertizave financiare;
  • Ofrimin e mbështetjes profesionale në procedurat administrative dhe gjyqësore;
  • Zbatimin e standardeve etike dhe profesionale në fushën e kontabilitetit ligjor.

OBJEKTIVAT KRYESORE

Në përfundim të programit, pjesëmarrësit do të jenë në gjendje të:

  • Kuptojnë rolin e kontabilitetit ligjor në mjedisin ligjor dhe të biznesit në Shqipëri;
  • Identifikojnë dhe analizojnë mashtrimet financiare dhe skemat e krimit ekonomik;
  • Zbatojnë teknikat dhe metodologjitë e kontabilitetit ligjor sipas praktikave ndërkombëtare;
  • Përgatisin raporte eksperti dhe të ofrojnë dëshmi profesionale në procese gjyqësore;
  • Trajtojnë çështje të lidhura me krimet kibernetike, mashtrimin digjital dhe parandalimin e korrupsionit;
  • Zbatojnë parimet e integritetit, pavarësisë, konfidencialitetit dhe etikës profesionale.

KUJT I DREJTOHET KY PROGRAM?

Programi është konceptuar për:

  • Kontabilistët e Miratuar;
  • Audituesit ligjorë;
  • Profesionistët në sistemin e drejtësisë që dëshirojnë të zhvillojnë kompetenca të avancuara në hetimin financiar dhe kontabilitetin ligjor.

MBËSHTETJA INSTITUCIONALE DHE BAZA E PROGRAMIT

Programi i Trajnimit dhe Certifikimit për Kontabilistin Ligjor (Forensic Accountant) është zhvilluar në përputhje me rekomandimet dhe rezultatet e projektit për forcimin e profesionit kontabël në Shqipëri, të mbështetur nga Banka Botërore dhe të realizuar nga Grant Thornton.

Në kuadër të këtij projekti, Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM), si organizata përfituese e projektit, është ngarkuar me zhvillimin dhe administrimin e programit të certifikimit për Kontabilistin Ligjor në Shqipëri. Programi është hartuar mbi bazën e praktikave më të mira ndërkombëtare dhe është përshtatur me kuadrin ligjor, institucional dhe profesional shqiptar.

Në përputhje me rezultatet e projektit dhe mandatin e tij profesional, IKM do të organizojë procesin e trajnimit, vlerësimit dhe certifikimit të kandidatëve që përmbushin kriteret e përcaktuara për fitimin e titullit Kontabilist Ligjor (Forensic Accountant).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *