Certifikimi për Kontabilist Ligjor
Programi i Certifikimit “Kontabilist Ligjor” është një program i specializuar i Institutit të Kontabilistëve të Miratuar, i zhvilluar në kuadër të projektit të Bankës Botërore për forcimin e raportimit financiar, auditimit dhe qeverisjes korporative. Ai synon krijimin e ekspertizës profesionale në kontabilitetin ligjor, në ekzaminimin e mashtrimeve financiare, në hetimin e krimeve ekonomike dhe në mbështetjen e proceseve gjyqësore me ekspertizë financiare.
Programi mbështetet në praktikat dhe standardet ndërkombëtare të kontabilitetit ligjor dhe të ekzaminimit të mashtrimeve, në referencat e organizatave ndërkombëtare të specializuara dhe në kuadrin evropian për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër krimit financiar, i përshtatur me praktikën institucionale shqiptare dhe me legjislacionin rajonal. Qëllimi i tij është përgatitja e profesionistëve që identifikojnë, analizojnë dhe dokumentojnë raste mashtrimesh financiare, korrupsioni, shpërdorimi të aktiveve dhe veprash të tjera ekonomike.
Regjistrimet për edicionin Shtator–Tetor 2026 janë mbyllur. Ky edicion organizohet tërësisht nga IKM, me trajnerë të certifikuar gjatë trajnimit pilot të zhvilluar në kuadër të projektit të Bankës Botërore.
Njoftimi për edicionin e ardhshëm do të publikohet te Trajnimet.
Kujt i drejtohet programi
- Kontabilistëve të Miratuar, anëtarë të IKM;
- Audituesve Ligjorë;
- punonjësve të organeve të zbatimit të ligjit, si institucionet e sistemit të drejtësisë dhe administrata tatimore e doganore.
Çfarë ofron certifikimi
Pjesëmarrësit në program fitojnë:
- njohuri të specializuara në kontabilitetin ligjor dhe në ekzaminimin e mashtrimeve;
- njohuri mbi skemat e mashtrimit, të korrupsionit dhe të krimeve ekonomike;
- aftësi praktike për hetimin dhe analizimin e rasteve komplekse financiare;
- kompetenca në mbledhjen dhe vlerësimin e provave financiare dhe jofinanciare;
- aftësi për përgatitjen e raporteve profesionale dhe për mbështetjen e proceseve gjyqësore;
- një certifikim profesional me vlerë të shtuar për karrierën dhe zhvillimin profesional.
Programi i certifikimit
Programi përfshin 10 module profesionale dhe 64 orë trajnimi. Tematikat kryesore përfshijnë ekzaminimin e mashtrimeve, psikologjinë e mashtruesit, procesin investigativ, provat financiare, skemat korruptive, mashtrimet në epokën digjitale dhe procesin e rikuperimit të dëmit.
Kalendari i edicionit 2026
Trajnimi zhvillohet në katër javë, nga 10 Shtatori deri më 17 Tetor 2026. Çdo javë ka tri seanca: të enjten dhe të premten nga 4 orë, ndërsa të shtunën 8 orë.
| Java | Datat | Orë |
|---|---|---|
| Java 1 | 10 – 12 Shtator 2026 | 16 |
| Java 2 | 17 – 19 Shtator 2026 | 16 |
| Java 3 | 8 – 10 Tetor 2026 | 16 |
| Java 4 | 15 – 17 Tetor 2026 | 16 |
| Gjithsej | 12 ditë trajnimi | 64 |
Për pyetje rreth certifikimit “Kontabilist Ligjor”, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.