Thirrje për Aplikim – Anëtar i Komisionit të Provimeve të Aftësive Profesionale (KPAP)
Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM), në zbatim të nenit 17 të Ligjit nr. 10091, datë 5.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar” dhe Rregullores nr. 2, datë 22.02.2018 “Për funksionimin e komisionit të provimeve të aftësive profesionale dhe mbikëqyrjes së procesit të testimit të kandidatëve për auditues ligjor dhe kontabilist të miratuar”, fton anëtarët e tij të interesuar të aplikojnë për pozicionin e anëtarit të Komisionit të Provimeve të Aftësive Profesionale (KPAP), pranë Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP).
Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit: 5 Prill 2026
Kriteret për Aplikim
Kandidatët duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme:
- Të kenë përfunduar, të paktën, studimet universitare të ciklit të dytë, në nivelin “Master” ose të zotërojnë diplomë universitare të ekuivalentuar me këtë nivel, si dhe të jenë të specializuar në fushat e ekonomisë dhe/ose të jurisprudencës, të lidhura me auditimin, kontabilitetin e financën, me përvojë profesionale jo më të vogël se 7 (shtatë) vite përvojë pune, në rast se mbajnë një gradë apo titull shkencor.
- Të jenë shtetas shqiptarë.
- Të jenë anëtarë të IKM-së.
- Të jenë pjesë e Regjistrit Publik të IKM-së.
- Të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata.
- Të mos jenë marrë masa disiplinore ndaj tij nga Komiteti i Investigimit & Disiplinës së IKM-së ose BMP-së.
- Të mos kenë konflikt interesi me anëtarët e Bordit të Mbikëqyrjes Publike apo strukturat e mbikëqyrjes së veprimtarisë së komisionit.
- Të mos jenë të angazhuar në role apo funksione politike.
- Të mos jenë në strukturat/këshillat drejtuese të më shumë se një nga organet/institucionet/organizatat e parashikuara në Ligjin nr. 10091/2009 që lidhen drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë me përzgjedhjen dhe veprimtarinë e KPAP.
Kritere Preferenciale
Përveç kritereve të mësipërme, do të konsiderohen preferenciale kriteret e mëposhtme:
- Të kenë eksperiencë në ligjërime apo trajnime profesionale në fushën e auditimit, kontabilitetit dhe financës.
- Të kenë publikime në revista shkencore, konferenca ose pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme kërkimore-shkencore së paku në 5 vitet e fundit në fushën e auditimit, kontabilitetit dhe financës.
Dokumentacioni i Kërkuar
- Kërkesë për aplikim drejtuar IKM-së;
- Kopje e dokumentit të identifikimit;
- CV e detajuar;
- Kopje e diplomës Master ose e barasvlershme;
- Dëshmi penaliteti;
- Dokumentacion që vërteton përvojën profesionale;
- Vetëdeklarime për:
- mungesë konflikti interesi;
- mosangazhim në funksione politike;
- pjesëmarrje në struktura drejtuese sipas kërkesave ligjore.
- Certifikata profesionale dhe lista e trajnimeve;
- Kopje të publikimeve (nëse ka).
Të gjitha dokumentet duhet të dorëzohen fizikisht pranë IKM-së brenda datës 5 Prill 2026, në adresën:
Instituti i Kontabilistëve të Miratuar
Rruga e Elbasanit, Nr. 323 Pallati Edil AL-IT, kati i III-të
Tiranë, Shqipëri
Email: info@ikm.org.al
Leave a Reply