Edukimi i Vijueshëm Profesional
Për të garantuar cilësinë e shërbimeve që ofrojnë, të gjithë Kontabilistët e Miratuar, aktivë dhe jo-aktivë, duhet të demonstrojnë në çdo rast aftësi profesionale, kompetencë dhe qëndrime e vlera etike të larta. Për këtë qëllim, Kontabilistët e Miratuar duhet të plotësojnë detyrimin e Edukimit të Vijueshëm Profesional në përputhje me programet e shpallura nga Këshilli i Drejtimit, nëpërmjet pjesëmarrjes në trajnimet e Edukimit të Vijueshëm Profesional.
Të gjithë anëtarët realizojnë të paktën 40 orë Edukim të Vijueshëm Profesional në vit, për të ruajtur aftësitë e tyre profesionale. Prej tyre, të paktën 20 orë janë Edukim i Vijueshëm Profesional i strukturuar, i organizuar drejtpërdrejt nga IKM, ndërsa deri në 20 orë mund të jenë të pastrukturuara.
IKM ofron mundësinë që të 40 orët e Edukimit të Vijueshëm Profesional të realizohen pranë saj. Çdo program ose kurs i pastrukturuar miratohet paraprakisht nga IKM, për të shmangur paqartësitë për anëtarët.
Rregullat e plota, përfshirë llogaritjen e orëve brenda ciklit trevjeçar dhe përjashtimet, përcaktohen në Strategjinë e vlerësimit të Edukimit të Vijueshëm.
Trajnimet e Edukimit të Vijueshëm Profesional
Programi i Edukimit të Vijueshëm Profesional
Programi i Edukimit të Vijueshëm Profesional është hartuar për të mbështetur, fuqizuar dhe promovuar zhvillimin e vazhdueshëm profesional të Kontabilistëve të Miratuar. Ai ka dy objektiva kryesore:
- të nxisë Kontabilistët e Miratuar të ndjekin aktivitetet e Edukimit të Vijueshëm Profesional sipas nevojave të tyre individuale, në funksion të praktikave më të mira profesionale dhe të cilësisë më të lartë të shërbimit;
- të dokumentojë dhe të regjistrojë orët e përfituara nga aktivitetet e Edukimit të Vijueshëm Profesional.
Parimet e Edukimit të Vijueshëm Profesional
Edukimi i Vijueshëm Profesional mbështetet në rolin e Kontabilistit të Miratuar për të zgjedhur dhe për të qenë aktiv në procesin e zhvillimit të tij profesional. Ai përfshin njohuritë dhe rritjen profesionale që vijnë pas Edukimit Fillestar Profesional, të cilat zhvillojnë dhe ruajnë aftësitë profesionale, në mënyrë që Kontabilistët e Miratuar të vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin me kompetencë. Edukimi i Vijueshëm Profesional siguron rritjen e vazhdueshme të aftësive teknike dhe profesionale, të vlerave profesionale, të parimeve etike dhe të njohurive të fituara gjatë Edukimit Fillestar, të përshtatura për veprimtaritë profesionale dhe përgjegjësitë e Kontabilistit të Miratuar.
Sistemi i Edukimit të Vijueshëm Profesional synon të nxisë dhe të ndihmojë Kontabilistët e Miratuar në përmbushjen e nevojave dhe të kërkesave për edukim, sipas parimeve të mëposhtme:
- Kontabilisti i Miratuar nxitet ta planifikojë vetë pjesëmarrjen në aktivitetet e Edukimit të Vijueshëm Profesional, bazuar në qëllimin e praktikës së tij profesionale, në nevojat e identifikuara dhe në kompetencat e dëshiruara. Është e rëndësishme që ai t’i kushtojë aq kohë sa duhet ruajtjes së nivelit të ekspertizës në punën e tij të përditshme.
- Kontabilisti i Miratuar zgjedh aktivitetet që u përgjigjen nevojave të perceptuara prej tij, si dhe atyre të identifikuara nga vlerësime të tjera.
- Aktivitetet e Edukimit të Vijueshëm Profesional lidhen me specialitetin, rolin profesional dhe përgjegjësitë që ka Kontabilisti i Miratuar në pozicionin aktual të punës.
- Kontabilisti i Miratuar angazhohet të ruajë profesionalizmin gjatë gjithë kohës së ushtrimit të profesionit dhe në kujdesin që ofron, nëpërmjet rritjes së vazhdueshme profesionale.
- IKM dhe institucionet përkatëse krijojnë mundësitë dhe kushtet e përshtatshme që Kontabilistët e Miratuar të ndjekin aktivitetet e Edukimit të Vijueshëm Profesional.
Baza ligjore dhe rregullorja
Kualifikimi i vijueshëm profesional i Kontabilistëve të Miratuar rregullohet nga nenet 25 dhe 52 të Ligjit Nr. 10091, datë 05.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”, i ndryshuar, dhe nga rregullorja e IKM për Edukimin dhe Kualifikimin Profesional.
Dispozitat e ligjit për kualifikimin e vijueshëm
- Dispozitat e këtij ligji, të parashikuara për kualifikimin e vijueshëm profesional të audituesve ligjorë, duhet të zbatohen nga organizmat profesionalë edhe për kontabilistët e miratuar, për aq sa i takon fushës për të cilën ata janë testuar në çastin e hyrjes në profesion.
- Organizatat profesionale të kontabilistëve të miratuar hartojnë rregullat e brendshme për kualifikimin e vijueshëm profesional, si dhe rregullat për regjistrimin e çregjistrimin e anëtarëve. Kontabilistët e Miratuar i nënshtrohen kualifikimit të vijueshëm profesional, i cili është i detyrueshëm dhe zgjat, të paktën, 40 orë. Periodiciteti i kryerjes së kualifikimit të vijueshëm profesional vendoset nga organizata profesionale. Edukimi i vijueshëm profesional është i detyrueshëm të kryhet edhe nga Kontabilistët që nuk e ushtrojnë profesionin.
- Përveç organizimit nga organizata profesionale e Kontabilistëve të Miratuar, kurset për kualifikimin e vijueshëm profesional mund të organizohen edhe nga:
- institucione të arsimit të lartë;
- qendra të tjera të kualifikimit profesional, të cilat kanë mjediset dhe personelin e duhur për garantimin e një kualifikimi cilësor, në përputhje me programet e miratuara për kualifikimin e vazhdueshëm profesional;
- shoqëri kontabiliteti, të cilat kanë kapacitete për të organizuar kualifikimin për të punësuarit e vet.
- Institucionet e arsimit të lartë, qendrat e kualifikimit profesional dhe punëdhënësit e përmendur në shkronjën “c” të pikës 2 të këtij neni, që dëshirojnë të organizojnë kurset e kualifikimit të vijueshëm profesional, vënë në dijeni Bordin e Mbikëqyrjes Publike për këtë fakt, përpara fillimit të kësaj veprimtarie, në përputhje me vendimin e marrë në organet e veta vendimmarrëse.
- Në përfundim të çdo kursi, Kontabilisti i Miratuar pajiset me vërtetimin e plotësimit të detyrimit, si dhe të vlerësimit të marrë. Vërtetimi depozitohet pranë organizatës profesionale të Kontabilistëve të Miratuar.
- Këshilli i Drejtimit i organizatës profesionale të Kontabilistëve të Miratuar miraton mënyrën e monitorimit dhe të vlerësimit të procesit të kualifikimit të vijueshëm të anëtarëve të tij. Si pjesë e procesit të vlerësimit, Këshilli i Drejtimit mund të miratojë organizimin e testimit të njohurive të marra gjatë kualifikimeve të vijueshme, i cili duhet të bëhet jo më shpesh se një herë në tre vjet dhe jo më rrallë se një herë në pesë vjet.
- Në përfundim të një procedure të nisur monitorimi, organizata profesionale e Kontabilistëve të Miratuar publikon rezultatet e monitorimit dhe ia dërgon ato Bordit të Mbikëqyrjes Publike. Bordi i shqyrton dhe merr vendim për masat që duhen ndërmarrë për rregullimin e situatës. Bordi, gjithashtu, merr vendim për pezullimin e ushtrimit të profesionit nga Kontabilistët e Miratuar që nuk kanë arritur të marrin provimet e lidhura me kualifikimin e vijueshëm, ose për çregjistrimin e Kontabilistëve të Miratuar që kanë depozituar vërtetime të pavërteta për kryerjen e kurseve të kualifikimit të vazhdueshëm. Kopje të vendimeve i dërgohen Komitetit të Regjistrimit, i cili reflekton ndryshimet në regjistër.
- Organizata profesionale e Kontabilistëve të Miratuar propozon për miratim pranë Bordit të Mbikëqyrjes Publike rregullat e kualifikimit të vijueshëm, të shoqëruara me sanksione, të cilat nisin me gjobë dhe përfundojnë me heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit deri në tre vjet, për mosplotësimin e kërkesës së edukimit të vazhdueshëm.
- Regjistrimi i Kontabilistëve të Miratuar për të ushtruar profesionin është i përvitshëm. Mospërmbushja e detyrimeve të kualifikimit të vijueshëm është kusht për mosregjistrimin e Kontabilistëve të Miratuar në Regjistrin Publik për të gjithë vitin pasardhës.
Për pyetje rreth Edukimit të Vijueshëm Profesional, stafi i IKM është i gatshëm të ndihmojë në ikm.alb@gmail.com ose nëpërmjet faqes Kontakt.